Botë

Stano: Kusht për Serbinë, zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën

09.01.2024 16:27

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së po punojnë për ta ndryshuar kornizën...

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së po punojnë për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, në mënyrë që në mesin e kushteve detyruese ta vendosin edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri tani me Kosovën. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sipas të cilit “Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare.”.
 
Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së dhe vjen pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, muajin e kaluar tha se vendi i saj nuk do t'i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën. Pikërisht përfshirja e detyrimit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në kornizën e bisedimeve për anëtarësim në BE ishte përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars të vitit të kaluar në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të detyrueshme”.