Botë

Arratisja e bosit të drogës vendos Ekuadorin në “shtetrrethim”, 3 mijë agjentë dhe ushtria në rrugë

09.01.2024 17:13

Ekuadori është në kaos total. Presidenti i shtetit latin, Daniel Noboa...

Ekuadori është në kaos total. Presidenti i shtetit latin, Daniel Noboa, shpalli gjendjen e emergjencës në të gjithë territorin, përfshirë në sistemin e burgjeve, pas arratisjes së armikut kryesor të popullatës, Adolfo Macias, që mban nofkën “Fito”, i cili është bosi më i fuqishëm i një prej bandave më të mëdha të narkotrafikut.
 
Rreth 3 mijë agjentë janë vënë në ndjekje të tij. Ushtria e Ekuadorit doli masivisht në rrugë me mjete të rënda për të mundësuar rikthimin e rendit publik, veçanërisht në sistemin e vuajtjes së dënimit.
 
“Kam dhënë udhëzime të qarta për komandantët e policisë dhe ushtrisë që të ndërhyjnë për të marrë nën kontroll burgjet. Sapo kam firmosur dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme, në mënyrë që forcat e armatosura të kenë mbështetje të plotë, politike dhe ligjore, për veprimet e tyre. Po marrim një shenjë se gjërat duhet të ndryshojnë në vendin tonë sepse ligjet tona nuk janë të mjaftueshme për të jetuar në paqe. Ne nuk negociojmë me terroristët.”, tha tha president i Ekuadorit, Daniel Noboa.
 
Ushtria do të monitorojë dhe zbatimin e një shtetrrethimi nga ora 23 e darkës deri në 5 të mëngjesit.
 
Policia bëri me dije se bandat kanë rrëmbyer të paktën 4 efektivë. Për presidentin Noboa, kjo është kriza e parë e madhe e sigurisë, kur kanë kaluar vetëm dy muaj nga marrja e detyrës.
 
Disa ditë më parë, u arrestuar Fabricio Colon Pico, një nga liderët e bandës Los Lobos, që akuzohet se kërcënoi me jetë prokuroren e përgjithshme. Kjo ngjalli disa manifestime, brenda dhe jashtë burgjeve, duke sjellë një situatë kaotike.