Maqedoni
Komuna e Sarajit, u lëshua në përdorim poliklinika e re
10.01.2024 13:31
Në komunën e Sarajit u bë përurimi i poliklinikës së re, për ndërtimin e së cilës u investuan 79 milionë denarë apo 1,3 milionë euro...

Në komunën e Sarajit u bë përurimi i poliklinikës së re, për ndërtimin e së cilës u investuan 79 milionë denarë apo 1,3 milionë euro, mjete të cilat u siguruan nga Ministria e Shëndetësisë. Për funksionimin e kësaj poliklinike është siguruar edhe personel prej 26 punonjësve shëndetësorë të profileve të ndryshme.
"Është një nder i madh që mëngjesin e sotëm bashkërisht të promovojmë hapjen e poliklinikës “Saraj”, e cila do t’u shërbejë mbi 45 mijë banorëve. Poliklinika në Saraj do të ofrojë kujdes shëndetësor për qytetarët e mbi 20 vendbanimeve. Do të funksionojnë qendrat e vaksinimit të fëmijëve të moshës parashkollore dhe shkollore, me stomatologji parandalues për fëmijë. Klinika do të ofrojë edhe kujdes shëndetësor specialisto-konsultativ të pajisur me laborator kimik, kabinete të diagnostifikimit me rreze X.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi tha se angazhimi i përbashkët sjell gjëra të mira, siç është ndërtimi i poliklinikës në Saraj.
"Jam këtu për t’i uruar qytetarët e komunës së Sarajit për plotësimin e një premtimi të dhënë në fushatën e kryetarit të komunës së Sarajit dhe tash më një pasqyrë kaq e bukur që po krijohet këtu bashkërisht, duke qenë përfaqësues të tre partive politike participiente në Qeveri. Bashkërisht po e bëjmë hapjen e këtij objekti kaq të rëndësishëm për komunën tuaj dhe është një sihariq apo paralajmërim shumë i bukur i gjerave që ne bashkërisht mund t’i bëjmë siç është fronti evropian.", - deklaroi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, falënderoi ekzekutivin për ndërtimin e poliklinikës, e cila do të jetë në shërbim të banorëve të kësaj komune.
"Ju qoftë për të mirë të gjithë qytetarëve të komunës së Sarajit dhe Shkupit edhe për skaj vonesave një falënderim i veçantë për Qeverinë e cila në kohë arriti t’i kryejë të gjitha detyrimet. E kisha fjalën atë që e thatë edhe ju me sa vite vonesë që ka nevojë për një poliklinikë të tillë, falënderoj Qeverinë që kryhet ky proces dhe që jeni të pranishëm të gjithë ju këtu pasi e konsideroni të rëndësishëm këtë projekt.", - theksoi kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti.
Banorët e komunës së Sarajit prej vitesh shërbimet e shëndetësisë primare i kanë marr në poliklinikat në Gjorçe Petrov dhe Karposh.
FITIM KRYEZIU
