Maqedoni

Kriza politike, Bruksel, Popovski dhe Shekerinska në bisedime

27.03.2015 18:14

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski, dhe nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska...

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski, dhe nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, të hënën do të udhëtojnë drejt Brukselit për të qenë pjesë e dialogut për tejkalimin e krizës në Maqedoni.
 
Lajmi komunikohet nga një pjesë e mediave të vendit, por nuk konfirmohet nga asnjëra prej partive.
 
Pjesë e bisedimeve do të jenë tre eurodeputetët, Ivo Vajgëll, Edvard Kukan dhe Riçard Hovit. Burime nga Brukseli bëjnë të ditur se tre eurodeputetët do të jenë vetëm lehtësues të procesit pa i ofruar propozimet e veta për dalje nga kriza.
 
Ky do të jetë tentimi i parë për dialogim midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. 
 
Ndërkohë, nga Komisioni Evropian informojnë se Brukseli akoma nuk ka vendosur se a do të monitorojnë dhe kë do të dërgojnë për të monitoruar procesin gjyqësor “Puç”, i cili pritet të fillojë së shpejti. Në mesin e të akuzuarve në këtë aferë është edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i ngarkuar penalisht për bashkëpunim me shërbime të huaja.
 
“Në këtë fazë nuk kam shumë për të thënë. Ne morëm një letër, por edhe bëmë me dije se cilat janë pritjet tona dhe për momentin nuk kam asnjë informacion të ri. Kur do të kem diçka të re do ta bëjmë publike”- është shprehur zëdhënësja e komisionit evropian, Maja Kocijancic. 
 
Prokuroria Publike e Shkupit, nëpërmjet një komunikate për media ka bërë me dije se lëndët për bisedat e përgjuara, të ngritura si pasojë e padive penale nga LSDM-ja u janë dorëzuar 17 prokurorëve publik për shqyrtim. 
 
MERAL ISMAILI