Kovaçevski për Qeverinë teknike: Nuk është saktësuar ende takimi me Mickoskin

10.01.2024 14:18

Kryeministri Dimitar Kovaçevski...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ende nuk e ka konfirmuar se kur do ta realizojë takimin me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për Qeverinë teknike, ndërsa për dorëheqjen tha se do të jetë në afatin e paraparë ligjor. 

LSDM-ja, sipas tij  po diskuton për  dalje me lista të përbashkëta në zgjedhje me të gjithë partnerët e koalicionit, megjithatë aktualisht bisedimet janë në nivelin e analizave dhe nuk janë përqendruar në detaje në lidhje me atë se si do të dukeshin listat e deputetëve. 

Sipas tij, me VMRO-DPMNE-në  do të ketë takim ku do të diskutohen përgatitjet për procesin zgjedhor.

“Qeveria teknike është e përcaktuar sipas ligjit. LSDM-ja doli me kandidatët e saj sipas statutit të miratuar nga Këshilli Qendror për Qeverinë teknike. VMRO-DPMNE-ja ndoshta do të bëjë të njëjtën gjë, do të shkojnë në Kuvend dhe do të votojnë për Qeverinë teknike dhe më pas  do të fillojnë zgjedhjet.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski për rikandidimin e Pendarovskit: Garon me pozitë të barabartë si kandidatët tjerë

Kovaçevski njëherit bëri të ditur se kanë filluar procedurat brenda partiake sa i përket kandidatit për president, ndërsa vlerësoi punën  e presidentit aktual, Stevo Pendarovski. Sipas tij, Pendarovski hyn në garë nominimi me pozicione të barabarta fillestare si kandidatët e tjerë të mundshëm për  këtë pozitë.

“Unë thashë që në atë garë nominimi të gjithë kandidatët e mundshëm kanë të njëjtin pozitë fillestare, sepse këtë e kërkon statuti i LSDM-së. Sa i përket Pendarovskit, ai me sukses realizoi mandatin e tij si kryetar, përkrahi eurointegrimet e vendit dhe konsideroj se të gjithë qytetarët i trajtonte me respekt të barabartë pa marrë parasysh përkatësinë e tyre.”, - deklaroi  kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Pendarovski për mundësinë e rikandidimit të tij: Do të dihet në gjysmën e dytë të  muajit shkurt

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, ka bërë të ditur se më së voni deri në gjysmën e dytë të shkurtit do të deklarohet nëse do të kandidojë për një mandat të dytë presidencial. (Flutura Latifi, TVM2)