Shpërthimi i dhunës në Ekuador, persona të armatosur futen në studio televizive
Persona të armatosur...

Persona të armatosur sulmuan një studio televizive në Ekuador gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Punonjësit u detyruan të shtriheshin në dysheme gjatë transmetimit të programit në kanalin televiziv shtetëror TC në qytetin e Guajakill përpara se transmetimi të ndërpritej.
Televizioni raportoi se disa nga punonjësit u plagosën. Pas shkëmbimit të zjarrit, policia kombëtare njoftoi se personeli u evakuua dhe të paktën 13 persona u arrestuan. Po ashtu disa oficerë të policisë u morën peng dhe u raportua për disa shpërthime në pjesë të ndryshme të vendit.
Presidenti, Daniel Noboa, duke u zotuar se do ta ndalte dhunën e shkaktuar nga tregtia e drogës, shpalli gjendje të jashtëzakonshme 60-ditore të hënën, si përgjigje ndaj dhunës në burgje, ku rojet e burgut janë marrë peng nga të burgosurit dhe pas ikjes së papritur nga burgu i liderit të grupit kriminal Los Choneros, Adolfo Macias. Gati 40 të burgosur të tjerë, duke përfshirë një tjetër bos droge të dënuar, u arratisën nga një burg tjetër në qytetin e Riobambas.
Presidenti Noboa nënshkroi një urdhër ekzekutiv që shpalli një konflikt të armatosur të brendshëm dhe emëroi disa grupe të krimit të organizuar si organizata terroriste dhe aktorë antishtetëror.
“Ne kemi urdhëruar forcat e armatosura dhe policinë që të mobilizohen në të gjithë territorin kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, organizatave terroriste dhe aktorëve luftarakë joshtetërorë. Presidenti gjithashtu bëri thirrje për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Shtetit.”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm për Komunikimet e Presidencës, Roberto Izurieta.
Qytetarët atje i ndjekin me shqetësim trazirat.
“Jetojmë në frikë të vazhdueshme, sepse çdo ditë kur dalim në punë nuk e dimë nëse do të kthehemi. Është shqetësuese për familjen, për ata që na presin në shtëpi.”, - theksoi banori i zonës, Roberto Medina.
"Shpresoj që kjo gjendje e jashtëzakonshme e zbatuar nga Noboa të japë rezultate pozitive për popullatën dhe jo për kriminelë.", - u shpreh banori vendas, Angel Espinoza.
Qeveria në Perunë fqinje ka njoftuar vendosjen e forcave policore në kufi për të parandaluar çdo destabilitet. Shtetet e Bashkuara dënuan sulmet në Ekuador dhe i dërguan një garanci presidentit dhe Qeverisë se ishin gati të ofronin ndihmë. (Fitore Demolli, TVM2)
