Maqedoni
Kryetari i Parlamentit të Arabisë në Shkup, takim Xhaferi - Muhamed Al Sheik
10.01.2024 14:52
Thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fokus të takimit të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi...

Thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fokus të takimit të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, me homologun e tij nga Arabia, Abdullah Bin Muhamed Al Sheik, në Shkup. Kryeparlamentari Xhaferi vlerësoi se vizitat e tilla janë nxitje për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, ndërkohë homologu i tij me propozime konkrete.
“Kryeparlamentari Xhaferi përshëndeti bashkëpunimin e deritanishëm në planin multilateral, si dhe theksoi mundësinë e bashkëpunimit në shfrytëzimin e potencialit ekonomik dhe rritjes së këmbimit tregtar. Abdullah Bin Muhamed Al Sheiku propozoi që në përbërjen e ardhshme parlamentare të Maqedonisë së Veriut të formohet grup i veçantë i bashkëpunimit me Mbretërinë e Arabisë Saudite.”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeparlamentarit, Xhaferi.
Al Sheik takon Pendarovskin dhe Osmanin
Kryeparlamentari i Arabisë, Muhamed Al Sheik, realizoi takim edhe me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, si dhe ministrin e jashtëm, Bujar Osmani. Në takimin e fundit është rënë dakord që të zgjerohet korniza ekzistuese e bashkëpunimit, me ç’rast do të thelloheshin marrëdhëniet midis dy vendeve. Në takime janë prekur edhe tema rajonale, si dhe sfidat globale.
Kreu i Kuvendit të Mbretërisë Arabe nesër viziton Tetovën, ndërkohë që deri të premten do të qëndrojë në vend. Vizita e fundit e një delegacioni nga Arabia në vend ishte e ministrit të Ekonomisë në nëntor të vitit të kaluar, ku u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik midis të dyjave. Atëherë Maqedonia dërgoi këshilltar ekonomik në Abu Dabi, kompetent edhe për marrëdhëniet ekonomike me Arabinë Saudite.
MERAL ISMAILI
