Maqedoni

Kovaçevski: M-NAV duhet hetuar për nepotizëm

10.01.2024 15:07

Zhvillimet e fundit në M-NAV, nuk janë problemet e vetme, në kompaninë e kontrollit të fluturimeve...

Zhvillimet e fundit në M-NAV, nuk janë problemet e vetme, në kompaninë e kontrollit të fluturimeve, thotë kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Ai ngriti dyshime edhe për nepotizëm në këtë kompani, ku siç tha ai punësimet e familjarëve shkojnë edhe deri tek brezi i tretë. Sipas Kovaçevskit, i tillë është rasti edhe me Aleksandar Tasevskin, i cili është i punësuar në këtë kompani, por edhe kryetar i Sindikatës Profesionale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror. Më herët në këtë kompani kishin qenë të angazhuar edhe vëllai dhe babai i Aleksandar Tasevskit.
 
"Më atë institucion duhet më seriozisht të merret jo vetëm Qeveria, por edhe Euro-Kontrolli, sepse M-NAV-i janë nën sistemin e Euro-Kontrollit dhe nga atje financohet M-NAV. Së pari mendoj se kjo kompani është shndërruar në kompani familjare, sepse kur të shikosh punësimet familjare, atje shkojnë edhe deri tek brezi i tretë i një familjeje, siç është rasti i kryetarit të Sindikatës, ku ai vet është aty i punësuar, vëllai i tij po ashtu, ndërsa më herët aty ka qenë i punësuar edhe babai i tij. Mendoj se për këto fenomene duhet të pyetet edhe Bashkimi Evropian, sidomos me mënyrën e realizimit të konkurseve, kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve.", - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
 
Tasevski: Të gjithë familjarët në M-NAV jemi profesionistë
 
Por, kryetari i Sindikatës, Aleksandar Tasevski, për TVM ka përgënjeshtruar pohimet e kryeministrit se në M-NAV ka nepotizëm. Ai pohoi se të gjithë anëtarët e familjes së tij të punësuar janë profesionistë të dëshmuar dhe me licenca paraprake për këtë detyrë.
 
"Nëse për kryeministrin është nepotizëm punësimi i një kuadri i cili ka qenë i punësuar aty para 30 viteve dhe i ka kaluar të gjitha selektimet dhe kriteret e nevojshme, atëherë vërtet në këtë shtet kemi probleme, sepse unë mendoj se jam i vetmi në vend që i kam të gjitha lejet për kontrollor dhe në të gjitha detyrat, përfshirë edhe dy leje për hapësirën ajrore të ShBA-së.", - theksoi kryetari i Sindikatës, Aleksandar Tasevski.
 
Incidenti në M-NAV, Petrovska: U shqetësuan vendet e NATO-s
 
Nga ana tjetër, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ka deklaruar se incidenti në M-NAV ka qenë temë e diskutimeve edhe me aleatët e NATO-s, sepse vendet anëtare të NATO-s kanë qenë të brengosura pasi në momentin e incidentit dy avionë të NATO-s ishin duke ateruar në aeroportin e Shkupit.
 
"Kompromis mund të bëjmë për shumë gjëra, por kompromis me sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve tona nuk mund të bëhet asnjëherë.”, - u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
 
Gir: Të zbardhet incidenti në M-NAV
 
Incidenti në M-NAV u gjykua ashpër edhe nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Dejvid Gir, i cili apeloi për zbardhjen e plotë të rastit.
 
"Është e qartë se ka obligime, kur të flasim për navigacionin e fluturimeve dhe përgjegjësitë ndaj Bashkimit Evropian. Këtu flasim se personat të cilët janë të angazhuar tek Navigacioni i fluturimeve duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të pavarur dhe problemi i dytë është se aty duhet që kuadrot, të cilat zgjidhen të jenë profesionistë dhe ta garantojnë sigurinë e avionëve.", - theksoi ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir.
 
Ndërkohë nga Sindikata e Kontrollorëve e përshëndetën vendimin e Qeverisë për ndryshimin e drejtorëve, duke theksuar se kjo do të shërbejë si një alarm edhe për drejtorët e rinj se mbi këtë institucion do të ketë kontrolle të vazhdueshme.  
 
FITIM KRYEZIU