Maqedoni
“Fondi Evropian i Paqes”, 9 milionë euro mbështetje për ARM-në
10.01.2024 15:21
Bashkimi Evropian, përmes “Fondit Evropian të Paqes”, ka ndarë 9 milionë euro si mbështetje për ARM-në...

Bashkimi Evropian, përmes “Fondit Evropian të Paqes”, ka ndarë 9 milionë euro si mbështetje për ARM-në, me çka u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit me ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe drejtorin e Organizatës Sllovene për Promovimin e Sigurisë njerëzore, Tomazh Lovrençiq, pas të cilit fillon realizimi i këtij projekti. Mbështetja financiare është e dedikuar për grupin e batalionit të lehtë të këmbësorisë dhe do të përdoret ekskluzivisht në këtë njësi ushtarake.
“Këto mjete do të shfrytëzohen për prokurimin e pajisjeve logjistike, pajisjeve mjekësore, sistemet e komunikimit dhe informacionit, kapacitetet e inteligjencës, pajisjeve inxhinierike dhe pajisjeve për kryerjen e trajnimeve. Të gjitha këto pajisje janë të destinuar për lehtësimin e punës në grupin e batalionit të këmbësorisë dhe do të shfrytëzohen për këtë njësi të Armatës. Të gjitha këto pajisje janë më standardet më të larta të NATO-s.”, - deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
“Ky është një nga kontributet e para nga “Fondi Evropian i Paqes” që do të ndihmojë ushtrinë të bëhet edhe më e shkathët dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në rritjen e pjesëmarrjes së saj në operacionet e paqes në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes.”, - theksoi ambasadori evropian, Dejvid Gir.
“Në muajt e ardhshëm dhe vitin e ardhshëm pritet prokurimi dhe dorëzimi i pajisjeve, që do të jetë një shfaqje e dukshme e përkushtimit të Bashkimit Evropian dhe partneritetit të forcuar me Maqedoninë e Veriut. Projekti ka filluar dhe do të jetë shembull për vendet e rajonit.”, - u shpreh drejtori i Organizatës Sllovene për Promovimin e Sigurisë Njerëzore – ITF, Tomazh Lovrençiq.
Pajisjet që do të prokurohen përmes ITF-së janë të koordinuara me profesionistë të Ushtrisë, gjë që është garanci se do të jetë në përputhje me nevojat e ushtrisë dhe standardet më të larta të NATO-s.
FARIJE DAUTI BAKIJU
