Maqedoni
Pendarovski me propozim: Të shtyhet afati për dokumentet personale
10.01.2024 15:50
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ka paralajmëruar se do t’i propozojë Qeverisë...

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ka paralajmëruar se do t’i propozojë Qeverisë vazhdimin e afatit për nxjerrjen e dokumenteve personale, për të zbutur kaosin e shkaktuar nga obligimi që deri më 12 shkurt qytetarët të pajisen me dokumente personale me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.
Kovaçevski: Do ta shqyrtojmë propozimin, bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se propozimet që mund të avancojnë diçka janë të mira dhe për këtë do të diskutohet edhe në mbledhje të Qeverisë, por përkujtoi se bëhet fjalë për Marrëveshjen e Prespës, e cila është marrëveshje ndërkombëtare.
“Besoj se edhe presidenti mund të dëgjohet me presidenten greke, pasi edhe ai është niveli në të cilin mund të komunikohet. Do të bisedojmë në seancë të Qeverisë, lidhur me mundësinë që kjo të bëhet, por gjithsesi presidenti Pendarovski e din mirë, sepse ishte i përfshirë në përgatitjen e Marrëveshjes së Prespës gjatë anëtarësimit në NATO, pasi ishte koordinator për NATO. Ka më shumë detaje si mund të zgjidhet në nivel ndërkombëtar me Greqinë dhe pse jo.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Për ta lehtësuar procesin, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur më shumë punkte për ta lehtësuar këtë proces, tha kryeministri, Kovaçevski. Edhe nga MPB-ja kanë thënë se janë marrë të gjitha masat që qytetarët të mund të aplikojnë për dokumente të reja deri në afatin e fundit, i cili është më 12 shkurt. Por, qytetarët ankohen për pritje të gjata, si për caktimin e terminit për aplikim, ashtu edhe për marrjen e dokumenteve të gatshme.
“Ky është turp. Hera e parë që vij këtu dhe shiko çfarë ndodh, sepse un jetoj jashtë shtetit, jo këtu.”, - theksoi një qytetar.
“Duhet të ketë radhë, për ata që janë me procedurë të shpejt dhe ato normale. E gjithë kjo ndërtesë vetëm me një hyrje punon, kjo gjë nuk ndodh në Evropë. Kemi pak kohë, duhet të shtyhet afati.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Jam këtu nga ora 09:00 dhe vet e shihni si është situata. Ne nuk kemi fuqi për të ndryshuar asgjë, duhet të ndërmerren masa.”, - tha një qytetar.
“Pres dy orë, shikoni ka mjaft tensione. Duhet të ketë radhë. Pritet shumë dhe s’ka radhë.”, - tha një qytetar tjetër.
Nga periudha 5 korrik 2021 deri më 31 janar të këtij viti janë tërhequr 1,007 885 letërnjoftime, 1,169 463 pasaporta dhe 529,799 leje të vozitjes.
GAZMEND REXHEPI
