Turizmi në Shqipëri, vitin e kaluar mbi 10 milionë turistë
10.01.2024 16:09
Alpet shqiptare renditen nga prestigjiozja “Nju Jork Tajms”....

Alpet shqiptare renditen nga prestigjiozja “Nju Jork Tajms”, si një ndër destinacionet që nuk duhen humbur në vitin 2024.
“Vargmali i largët malor në Shqipërinë veriore, i njohur si Bjeshkët e Nemuna ose Alpet Shqiptare ka mahnitur prej vitesh alpinistët që kërkojnë qetësi midis majave të tij.”, e nis përshkrimin kjo media amerikane, duke vijuar se liqenet e saj të qelqta dhe shtigjet e paprekura më parë, janë tashmë më të aksesueshme për eksploruesit që kërkojnë një parajsë të përballueshme.
“Fshatrat veriore si Thethi tani janë të arritshme nga një rrugë malore e ngushtë por e asfaltuar, megjithëse shoferët mund të kenë ende nevojë të presin për kafshët që kalojnë. Më tej shkrimi vijon se vizitorët mund të qëndrojnë me vendasit në bujtina ose në ferma për të parë një pamje të jetës rurale përpara se të ecin në Qafën e Valbonës brenda një parku kombëtar që përfshin rreth 200 mijë hektarë e ku gjenden luginat e shpërndara me lule të egra dhe barinjtë që kujdesen për kopetë e tyre.”.
Një tjetër zhvillim pozitiv vjen edhe nga platforma globale e rezervimeve “Booking” për vitin 2024. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se Vlora renditet si një prej 10 destinacioneve më të lakmuara turistike. Vitin që lamë pas, numri i turistëve të huaj që vizituan vendin tonë arriti në 10.1 milionë, duke shënuar një rekord historik. (Luljeta Ndoka, TVM2)
