Botë

Kurti: Pushteti i Vuçiqit po ndjek rrugën e Putinit

10.01.2024 16:33

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ndaj arrestimit dhe mbajtjes në paraburgim në Serbi të tre shtetasve të Republikës së Kosovës...

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ndaj arrestimit dhe mbajtjes në paraburgim në Serbi të tre shtetasve të Republikës së Kosovës, të cilët siç tha ai po mbahen në burg pa asnjë bazë. Kjo sipas Kurtit bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
 
“Javën e kaluar dy qytetarë të RKS-së, Hasan dhe Xhavit Dakaj, u ndaluan dhe arrestuan në kufi me Serbinë. Hasan Dakaj edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera e parë dhe nuk paraqet rast të izoluar. Kjo është një sjellje e qëllimshme dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me Konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Serbia vazhdon të mbajë në paraburgim edhe dy qytetarë të tjerë të RKS-së, Petrit Dula dhe Nezir Mehmeti, të dy të mbajtur nga autoritetet serbe për gjoja kryerjen e krimeve kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti njëherit ka akuzuar Serbinë se po e ndjekë rrugën e metodave të presidentit rus, Vladimir Putin, me përndjekjen edhe të politikanëve serb që kanë guximin të pranojnë gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
 
“Kështu është rasti me liderin opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, kryetar i partisë republikane atje për të cilin krahas torturave fizike, shteti serb zgjedh të ngritë aktakuzë për nxitje të urrejtjes kombëtare, sepse ai u përkul para varrit të 7-vjeçares, Blerina Jashari, e vrarë nga forcat serbe në Prekaz në marsin e vitit 1998.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Sipas Kurtit me frikë dhe dhunë pushteti autokratik i Aleksandar Vuçiqit po tenton të mposhtë opozitarizmin dhe të gjithë zërat që i kundërvihen atij pushteti.  
 
GYLTENE SINANI