Gaza, 85% e popullsisë është larguar nga shtëpitë, Blinken: Palestinezët duhet të vetëqeverisen

10.01.2024 17:10

Lufta në Gaza ka bërë që pothuajse 85% e popullsisë...

Lufta në Gaza ka bërë që pothuajse 85% e popullsisë të dëbohet nga shtëpitë e tyre dhe një e katërta e banorëve të përballen me uri, mungesë të ujit të pijshëm dhe ndihmës mjekësore. Kjo ka bërë të shtohen zërat për t’i dhënë fund krizës humanitare. 
 
“Është hera e katërt që çmontoj çadrat dhe i lëviz. Pas prishjes së shtëpisë sime në Gaza, ne u shpërngulëm dhe u vendosëm në Saraja për një kohë. Njëherë u zhvendosëm në Nusejrat dhe nga Nusejrat në Deir al-Balah në Spitalin e Martirëve Al-Aksa. Dje jeta jonë ishte nën kërcënimin vdekjeprurës, me të shtëna mbi kokën tonë dhe unë nuk jam gati të sakrifikoj fëmijët e mi dhe nipërit e mbesat e mia. Ne po shkojmë, nuk e dimë se çfarë na pret. Ne po shkojmë drejt së panjohurës.”, - u shpreh qytetari i zhvendosur, Abu Jusuf Abuel-Sud.
 
Ndërkohë sekretari amerikan i shtetit, Blinken, në fund të një turneu nëpër Evropën Jugore dhe Lindjen e Mesme, theksoi se Tel Avivi duhet të ndalojë së ndërmarrë hapa që minojnë aftësinë e palestinezëve për të qeverisur veten në mënyrë efektive.
 
“Çdo partner që takova në këtë udhëtim tha se ishte gati të mbështeste një zgjidhje të përhershme që do t'i jepte fund ciklit të stërzgjatur të dhunës dhe do të garantonte sigurinë e Izraelit. Por, ata theksuan se kjo mund të vijë vetëm përmes një qasjeje rajonale që përfshin një rrugë drejt një shteti palestinez. Këto synime janë të arritshme, por vetëm nëse arrihen reciprokisht. Ju nuk mund të arrini asnjë qëllim pa një qasje të integruar rajonale. Për ta bërë të mundur këtë, Izraeli duhet të bashkëpunojë me udhëheqësit palestinezë, të cilët janë të gatshëm të udhëheqin popullin e tyre dhe të jetojnë krah për krah në paqe me Izraelin dhe fqinjët e tyre.”, - deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Antonio Blinken.
 
Në Rripin e Gazës, luftimet e ashpra nuk ndalen. Gjatë 24 orëve të fundit, Izraeli ka sulmuar mbi 150 objektiva të Hamasit. Forcat tokësore, ajrore dhe detare izraelite vazhdojnë të operojnë, ndërsa autoritetet shëndetësore në enklavë raportojnë dhjetëra të vdekur. (Fitore Demolli, TVM2)