Botë
Gjykata e Lartë e OKB-së hap betejën ligjore për akuzat ndaj Izraelit
11.01.2024 09:32
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të hapë një seancë dy-ditore në procedurat e ngritura nga Afrika e Jugut...

Në Hagë filloi seanca dëgjimore publike lidhur me padinë për gjenocid të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në ditën e parë të gjyqit, Afrika e Jugut do të paraqesë prova të forta në padinë që ngriti më 29 dhjetor, duke akuzuar Izraelin për gjenocid dhe shkelje të Konventës së OKB-së për gjenocidin me veprimet e tij në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.
Dokumenti prej 84 faqesh i Afrikës së Jugut e akuzon Izraelin për veprime dhe lëshime që përbëjnë "karakter gjenocidal, pasi ato janë kryer me qëllimin të caktuar specifik, për të shkatërruar palestinezët në Gaza si pjesë e grupit më të gjerë kombëtar, racor dhe etnik palestinez.".
Padia thekson se aktet gjenocidale të Izraelit përfshijnë vrasjen e palestinezëve, shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore dhe mendore, dëbimin masiv nga shtëpitë dhe zhvendosjen, vendosjen e masave që synojnë të parandalojnë lindjet palestineze dhe privimin nga qasja në ushqimin e duhur, ujin, strehimin, kanalizimet dhe ndihmën mjekësore. Seanca dëgjimore do të zgjasë të paktën dy orë dhe do të pasohet nga argumentet e Izraelit në mbrojtjen e tij të nesërmen.
