Maqedoni
Kuvend, opozita, akuza për partizimin e komisioneve
11.01.2024 13:55
Pushteti në shënjestër të opozitës për partizim të komisioneve sikurse Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimit...

Pushteti në shënjestër të opozitës për partizim të komisioneve sikurse Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimit, si dhe Agjencinë për Komunikime Elektronike. Sipas opozitës, vendimet merren në zyra dhe shumica vetëm se i aprovon duke shndërruar votimin në mekanizëm formal, duke prodhuar ligje dhe institucione formale.
“Kandidati Zekir Abdullov, i cili propozohet të jetë anëtar i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi me mandat prej pesë viteve është anëtar i Këshillit të Komunës së Dellçevës nga radhët e LSDM-së. Ne themi se po partizoni të gjitha institucionet, madje edhe një komision, i cili duhet të luftojë kundër diskriminimit, ju po e diskriminoni.”, - deklaroi Nikolla Miceski nga VMRO-DPMNE-ja.
Përpos kandidatit të kritikuar nga VMRO-ja, shumica për anëtarë ka propozuar edhe Dragana Dërndevskan, Flora Kadriun dhe Dushan Tomiqin. Sipas deputetes Siljanovska Davkova, vetëm një kandidate plotëson kushtet, pasi më të mirët u refuzuan. Ajo fton në anulimin e përzgjedhjes.
“Drejtësinë ta kërkojnë në gjykatë. I inkurajoj edhe ata që janë pranuar e që janë njerëz me dinjitet të mbështesin këtë proces dhe të anulojnë procedurën dhe të ketë zgjedhje të sërishme.”, - theksoi Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE-ja.
Sipas opozitës, propozimi i LSDM-së për anëtarë në Agjencinë për Komunikime Elektronike është figurë partiake, kryetar i degës së LSDM-së në Karposh. Kritika edhe për anëtarin e BDI-së. Nuk pati kundërshtime nga mazhoranca. Propozimet do të votohen kur të krijohet shumica e nevojshme.
MERAL ISMAILI
