Botë
Në Hagë nisi seanca dëgjimore, Izraeli përballet me akuzat për gjenocid në Gaza
11.01.2024 14:14
Kanë nisur seancat dëgjimore në Hagë pas padisë së Republikës së Afrikës së Jugut...

Kanë nisur seancat dëgjimore në Hagë pas padisë së Republikës së Afrikës së Jugut kundër Izraelit për gjenocid në Rripin e Gazës. Ekipet ligjore nga të dyja palët paraqesin argumentet e tyre sot dhe nesër. Afrika e Jugut i kërkoi gjyqtarëve që të vendosin urdhra paraprakë detyrues ndaj Izraelit, duke përfshirë ndalimin e menjëhershëm të fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza.
“Asnjë sulm i armatosur në territorin shtetëror, sado i rëndë qoftë, qoftë edhe një sulm me krime, nuk mund të japë justifikim. Përgjigja e Izraelit ndaj sulmeve të 7 tetorit kaloi kufirin dhe shkeli parimet e konventës.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë së Afrikës Jugore, Ronalld Lamola.
Përpara Pallatit të Drejtësisë, protesta propalestineze dhe proizraelite. Administrata e Bajdenit përsëriti kundërshtimin e saj ndaj padisë, duke theksuar se akuzat janë të pabaza. Ndërkohë që përpjekjet diplomatike për Gazën e pasluftës vazhdojnë në Lindjen e Mesme. Blinken, për vizitë në Egjipt.
“Është e qartë se vendet e rajonit janë të shqetësuar, para së gjithash, për të parandaluar përhapjen e konfliktit, por edhe për të formuar një të ardhme më të mirë për rajonin në tërësi, veçanërisht për izraelitët dhe palestinezët.”, - theksoi sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken.
Ne nuk kemi ndërmend të pushtojmë përgjithmonë Gazën apo të zhvendosim popullsinë civile, pohoi kryeministri, Netanjahu.
“Ne po luftojmë terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze. Dhe ne e bëjmë atë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Mbrojtja izraelite po bën gjithçka për të minimizuar viktimat civile. Qëllimi ynë është të çlirojmë Gazën nga terroristët e Hamasit dhe të çlirojmë pengjet tona. Pasi të arrihet kjo, Gaza mund të çmilitarizohet dhe deradikalizohet.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Izraeli zbuloi tunele të reja të Hamasit në Gazën qendrore dhe njoftoi operacione të reja në zonë. Nga ana tjetër, sulmet në jug po vazhdojnë dhe numri i viktimave po rritet. OBSh-ja anuloi një mision ndihme në Rripin e Gazës për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe i bëri thirrje Izraelit që të miratojë shpërndarjen.
BELINDA KOKA ADEMI
