Maqedoni

Ministria e Mbrojtjes ndan bursa për studentët e Armatës, Petrovska: Do të sigurojmë kuadër më cilësor

11.01.2024 14:35

Autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes nënshkruan marrëveshjet e para për bursa për studentët...

Autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes nënshkruan marrëveshjet e para për bursa për studentët që do të studiojnë në fusha kritike për nevojat e Armatës së Maqedonisë së Veriut. 7 studentë do të përkrahen financiarisht gjatë studimeve dhe pas përfundimit të shkollimit të tyre ata do të punësohet me kohë të plotë në Ministrinë e Mbrojtjes, tha ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
 
“U besojmë të rinjve të cilët janë të motivuar dhe mund të paraqesin vlerë të shtuar për Mbrojtjen dhe Armatën, i motivojmë dhe u hapim mundësi të reja për zhvillim profesional dhe personal. Sot nënshkruam 7 marrëveshje për dhënien e bursave për studentët  që  janë nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Universiteti i Shtipit “Goce Dellçev” dhe “Kolegji Amerikan”.”, - deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
 
“Kjo bursë nënkupton për mua nder dhe kënaqësi, sepse mendoj se kjo përkrahje financiare gjatë studimeve është ndihmesë e madhe si student për të arritur qëllimin që ia kemi parashtruar vetës.”, - u shpreh një studente.
 
Në konkursin e shpallur të 3 nëntorit të vitit të kaluar, Ministria e Mbrojtjes ofroi bursa prej 30 deri më 80 për qind të pagës mesatare për studentë të fushës së inxhinierisë sistemesh për teknologjinë e informacionit, inxhinierë sistemesh për bazën e të dhënave, të sigurisë IT, mbështetjes gjeo-hapësinore, gjeo-dezista, gjeo-teknikës, për sistem informacioni gjeografik, meteorologjisë, doktor të mjekësisë, teknik me rreze X, ndërtim, motori dhe sistemet e avionit, instrumentet, radarët dhe pajisjet elektrike. Në këtë konkurs u paraqiten gjithsej 11 kandidatë studentë, të cilët vetëm 7 prej tyre i kanë kaluar me sukses të gjitha fazat e selektimit dhe kontrolleve fizike dhe ato mjekësore, tha Petrovska, e cila është e mendimit se në këtë mënyrë plotësohet Armata me profesionistë. Konkursi i radhës për bursa parashikohet të hapet pas përfundimit të zgjedhjeve këtë vit. 
 
REXHEP QAMILI