Maqedoni
KShPK: Kushtetuesja do të shqyrtojë punësimet me “balancues”
11.01.2024 16:06
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit voton pro iniciativës që “balancuesi”...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit voton pro iniciativës që “balancuesi” të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese për kushtetutshmërinë në bazë të Ligjit për nëpunës administrativ dhe Ligjit për shpërndarje dhe punësime sipas programit K5 për përfaqësim adekuat të bashkësive etnike. Me katër vota pro dhe dy kundër Antikorrupsioni miratoi propozimin që të dërgohet nismë në Kushtetuese për ta vazhduar, ndërprerë apo anuluar metodologjinë e punësimit në sektorin publik të ashtuquajtur “balancuesi”. Anëtarët e komisionit që votuan pro thonë se ky ligj nuk ka bazë kushtetuese, madje dhe keqpërdoret për punësime partiake.
“Në vetë instrumentin e balancuesit thuhet se përkatësia etnike është bazë që përcakton rishpërndarjen e re të punësimeve. Unë nuk e di ku thotë Kushtetuta që kjo mund të zbatohet! Nuk mund të jetë përkatësia etnike bazë e punësimit, andaj propozoj që balancuesin ta dërgojmë në Kushtetuese.”, - deklaroi anëtari i KShPK-së, Vladimir Georgiev.
“Kjo askujt nuk i konvenon, madje as ata që rrinë në shtëpi nuk ndihen komod të marrin paga pa merita. Instrumenti që nga fillimi është keqpërdorur, në 2021 madje 318 institucione shtetërore e keqpërdorën balancuesin duke punësuar në bazë të deklarimit të përkatësisë etnike. Iniciativa i ka gjitha elementet të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.”, - theksoi kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.
KShPK: Anëtarët shqiptarë votuan kundër iniciativës
Kundër kësaj iniciative votuan anëtarët e komisionit me përkatësi etnike shqiptare.
“Ne shkojmë në atë drejtim kinse po themi diçka ekskluzive që Antikorrupsioni e dërgoi këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese, kurse vet kjo e fundit është deklaruar se është e drejtë e garantuar që secili të deklarohet ashtu siç ndjehet në përkatësinë etnike, ne tani sërish kërkojmë vendim nga Kushtetuesja.”, - theksoi anëtari i KShPK-së, Shemshi Salai.
“Ja po ju them një shembull pa dashur t’ia përmend emrin. Një i punësuar sipas Marrëveshjes Kornizë dhe i rishpërndarë në një Ministri, shkon njeriu në punë, askush nuk i jep vend për t’u ulur për të punuar. Nga dera në derë arrin deri te ministri, i cili i thotë se ke dy mundësi të shkosh nga dera apo nga dritarja.”, - u shpreh anëtari i KShPK-së, Nuri Bajrami.
Kjo nismë e Komisionit Antikorrupsion vjen si pasojë e keqpërdorimit të konkurseve, ku vendet e punës ishin hapur për qytetarët me përkatësi etnike shqiptare e që u keqpërdor nga individë të caktuar.
GAZMEND REXHEPI
