Maqedoni

Kovaçevski për Frontin Evropian: Kam pasur takime me Taravarin dhe Ahmetin

11.01.2024 16:30

Të gjithë ata që janë të interesuar për integrime evropiane janë të mirëseardhur...

Të gjithë ata që janë të interesuar për integrime evropiane janë të mirëseardhur në të ashtuquajturin Front Evropian. Ky është vlerësimi i përsëritur disa herë radhazi nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, sipas të cilit alternativa e vetme e vendit tonë është anëtarësimi në BE dhe gjithçka tjetër, sipas tij është utopi dhe popullzimi. Kovaçevski thotë se ka pasur takime me kreun e ASh-së, Arben Taravari, por edhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.

 
“Për marrëveshje duhet harmonizimi i shumë elementeve, për të cilat vlerësoj se ka bazë të mirë, do t’ia lëmë kohës para le të tregojë se si do të jetë dalja finale, edhe në lista edhe në zgjedhje.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
LEN: ASh-ja është e mirëseardhur në opozitë
 
Por, kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, thotë se Aleanca për Shqiptarët është e mirëseardhur në opozitë. I pyetur për ofertën të cilën LEN-i i ka bërë ASh-së, Mexhiti thotë se e njëjta nuk përmban numra apo pozicione, por angazhim për sjelljen e ndryshimit. Mexhiti tha se 2/3 e anëtarësisë së ASh-së mbështesin idenë që kjo parti t’i bashkohet opozitës, respektivisht Lidhjes Evropiane për Ndryshim.
 
“Oferta jonë është që t’i bashkëngjitet opozitës shqiptare për ta sjellë ndryshimin që pritet nga qytetarët, sidomos nga Aleanca për Shqiptarët, që është themeluar, është ngritur mbi politikat anti-BDI. Këtë e flasin edhe anketat e tyre, ku mbi 2/3 e votuesve të anëtarësisë së ASh-së e duan bashkimin me opozitën shqiptare dhe kur e thonë këtë, këta që e duan ASh-në, nuk e kanë me rëndësi ndarjen e numrave, pozicioneve, e kështu me radhë.”, - theksoi Izet Mexhiti nga LEN-i. 
 
VMRO-DPMNE për frontin evropian: Kopi ua fundosi fushatën e LSD-së dhe BDI-së
 
Për fushatën për Frontin Evropian reagojnë edhe nga opozitarja, VMRO-DPMNE. Sipas tyre, komenti i sinqertë i ambasadorit holandez ua fundosi fushatën për Frontin Evropian LSD-së dhe BDI-së. 
 
“Me BDI-në dhe LSD-në vendi ka devijuar tmerrësisht nga rruga evropiane. Nuk ka qenë kurrë më keq. Është e rëndësishme t'i mposhtim ata.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. 
 
FLUTURA LATIFI