Botë

Shqipëri, Qeveria propozon festë kombëtare 22 Nëntorin

11.01.2024 16:52

Qeveria shqiptare propozon shtimin e Ditës së Alfabetit si festë kombëtare...

Në një prononcim pas mbledhjes së këshillit të Ministrave, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se kjo ditë mbart një simbolikë të veçantë.
 
“22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, të cilët janë të shpërndarë në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuar në të gjitha fetë monoteiste. Por, ajo që vërtet i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen me këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë në alfabetin latin.”, - theksoi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
 
Ministri informoi se kjo iniciativë u bazua edhe në diskutimet që patëm pas Samitit të Diasporës.
 
“Kryeministri i Shqipërisë e njoftoi në prani të të gjithë përfaqësuesve të Diasporës shqiptare, por duke pasur parasysh edhe faktin se ky vit, viti 2024, është një vit i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët në rajon. Shqipëria shpreson që të ketë një rrugë sa më të qartë dhe sa më të shpejtë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ata të Kosovës, Preshevës apo Malit të Zi janë në procese të rëndësishme përfaqësuese dhe integruese.”, - u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
 
Sipas tij, Ministria e Arsimit është duke përgatitur gjithashtu një kalendar shumë të rëndësishëm eventesh për vitin 2024 të lidhura me gjuhën shqipe.
 
LULJETA NDOKA