Botë
Kryeministri irlandez në Prishtinë, Varadkar: E ardhmja e Kosovës është në BE
11.01.2024 17:42
E ardhmja e Kosovës është në BE, deklaroi kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar...

E ardhmja e Kosovës është në BE, deklaroi kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, pas takimit në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Njëherit ai shprehu mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe fillimin e procesit të negociatave për anëtarësim në BE.
“Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është jetik për stabilitetin e rajonit dhe për perspektivën e Kosovës edhe Serbisë. Dhe mbi të gjitha mendoj se sivjet është vit shumë i rëndësishëm që ky stabilitet të konsolidohet në Kosovë dhe nuk dua të shoh kthim të skenave të dhunshme që i pamë në shtator dhe maj. Është qëndrim i qeverisë irlandeze që beson se masat kufizuese të cilat janë vendosur ndaj Kosovës duhet të hiqen.”, - deklaroi kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar.
Kurti: Prioritet marrëveshja bazike, jo Asociacioni
I pyetur rreth dialogut me Serbinë dhe Asociacionin për komunat me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës, Kurti, tha se Kosova dëshiron marrëdhënie evropiane të fqinjësisë së mirë me Serbinë, që është me rëndësi për sigurinë dhe rrugëtimin evropian. Por Kurti tha se Asociacioni nuk mundet të nxirret nga paketa dhe të bëhet prioritet i normalizimit.
“Le të mos e ngatërrojmë hierarkinë e gjërave, marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flasim për Asociacionin. Të gjithë ata të cilët e nxjerrin Asociacionin nga paketa i bëjnë dëm Kosovës. Nuk mund ta nxjerrësh Asociacionin nga paketa e ta bësh prioritet për nga koha ose në qendër për nga hapësira e tryezës. Asociacioni nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkohë ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar se nuk është optimist se Beogradi dhe Prishtina do të arrijnë një marrëveshje deri në fund të vitit. Për Radio Televizionin e Serbisë, ai njëherit ka vlerësuar se presioni politik ndërkombëtar ndaj Serbisë vazhdon, si për Kosovën, ashtu edhe për marrëdhëniet me Rusinë.
GYLTENE SINANI
