Maqedoni

Spasovski takohet me O’Brajan, Spasovski: Personat në “listën e zezë” nuk do të mund të jenë pjesë e funksioneve publike

12.01.2024 11:20

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në departamentin e shtetit amerikan...

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në departamentin e shtetit amerikan, takoi ndihmës sekretarin e shtetit amerikan për Evropë dhe Euroazi, Xhejms O’Brajan. Është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Punëve të Brendshme të luftojnë kundër korrupsionit, që të ndershmit të fitojnë kundër të korruptuarve, theksoi Spasovski në këtë takim. Ai më tej shtoi se të gjitha direktivat dhe personat e vendosur në listën e sanksioneve të ShBA-së do të vendosen në kornizë ligjore, në mënyrë që të mos kenë mundësi të marrin pjesë në prokurimet publike, të jenë pjesë e Qeverisë dhe as të jenë kandidatë për poste publike.
 
Ndihmës sekretari i shtetit i ShBA-së për Evropë dhe Euroazi, Xhejms O’Brajan, theksoi se këto janë hapa shumë të rëndësishëm që MPB-ja dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po ndërmarrin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në takim, dy bashkëbiseduesit u pajtuan se rruga evropiane nuk ka alternativë dhe se periudha në vijim është vendimtare për Republikën e Maqedonisë së Veriut, në aspektin e Qeverisë teknike dhe zgjedhjeve, sfidat që vijnë janë shumë të rëndësishme për drejtimin në të cilin lëviz shteti.