Maqedoni

Përleshja në Tetovë, arrestohen katër të dyshuar, dy të plagosurit janë në KARILL

12.01.2024 12:55

Policia e Tetovës një orë para mesnate ka arrestuar katër persona që dyshohen për gjuajtje me armë në spitalin e Tetovës....

Policia e Tetovës një orë para mesnate ka arrestuar katër persona që dyshohen për gjuajtje me armë në spitalin e Tetovës, ku mbetën të plagosur dy vëllezërit nga fshati Gajre, me iniciale A.M. 41-vjeç dhe vëllai i tij, Z.M. 36-vjeç. Ndërsa, mes të arrestuarve sipas SPB-Tetovë është edhe një 55-vjeçare.
 
“Në ora 23:10 në Tetovë, zyrtarë policorë të SPB-Tetovë kanë privuar nga liria personat R.T. (35) dhe M.T.(44) nga Tetova, ndërsa më herët edhe 55-vjeçaren Sh. E. dhe personin N.M.(39) nga Tetova për shkak të dyshimit për përfshirje në të shtënat e djeshme (11 janar) me armë zjarri para Qendrës Emergjente të Spitalit Klinik të Tetovës, që ka ndodhur rreth orës 18:05, ku kanë marrë lëndime të rënda trupore. Plagë me armë zjarri kanë pësuar dy persona A.M.(41) dhe Z.M.(36) nga fshati Gajre e Tetovës.”, thuhet në komunikatën nga SPB-Tetovë.
 
Ndërsa nga spitali nënë Tereza në Shkup thonë se tek njëri ka pasur një ndërhyrje dhe gjendja e tij shëndetësore është e vështirë, ndërsa tjetri është në gjendje më stabile.
 
“Njëri prej tyre i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në kraharor dhe abdomen dhe është në gjendje të përgjithshme të rënduar. Tjetri është në gjendje stabile. Të dy janë në KARILL.”, thuhet në komunikatën nga Klinika “Nënë Tereza”.
 
Edhe ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, konfirmon se dy të plagosurit janë në kujdes intensiv, ndërsa njëri është në gjendje më të rëndë shëndetësore.
 
“Në Tetovë, siç e dimë, dy grupe mes vete, për probleme të pazgjidhura mes vete, do të thotë rastësisht kanë qenë në oborr të Spitalit në Tetovë në urgjencë. Sipas informacioneve nga drejtori i Spitalit të Tetovës, janë transferuar në Shkup. Njëri në gjendje më të rëndë, tjetri në gjendje më të lehtë, ata janë në KARILL, në repartin për anestezion dhe reanimacion dhe mendoj pjesën tjetër do ta zbardhë MPB-ja, më pas edhe Prokuroria. Do të thotë nuk ka lidhje me shëndetësinë në këtë rast.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. 
 
Përndryshe zënka e dy grupeve kishte filluar nga pasditja e djeshme ku para gjykatës së Tetovës, të dy palët kanë pasur përleshje mes tyre. Ndërsa në arrati mbetet edhe një person që dyshohet për pjesëmarrje në plagosjen e dy vëllezërve nga Gajreja e Tetovës.
 
VISAR SADIKI