Maqedoni
Investime në Klinikën "Shën Naumi i Ohrit", pajisje bashkëkohore për trajtime të shpejta
12.01.2024 13:33
Në Klinikën Kirurgjike "Shën Naumi i Ohrit" u promovuan pajisjet e reja në repartin e Urologjisë për asgjësimin e gurëve në veshkë....

Në Klinikën Kirurgjike "Shën Naumi i Ohrit" u promovuan pajisjet e reja në repartin e Urologjisë për asgjësimin e gurëve në veshkë. Me trajtimin e ri, pacientët menjëherë pas ndërhyrjes kirurgjikale do të lëshohen në shtëpi. Gjithashtu është siguruar edhe një pajisje për diagnostifikimin e hershëm të kancerit të gjirit, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili theksoi se për herë të parë në këtë institucion është instaluar aparati i ri bashkëkohorë litotripsie, i cili kap vlerën e 42 milionë denarëve.
“Pritet që çdo vit të trajtohen qindra pacientë me këtë patologji, të cilët pas ndërhyrjes do të qëndrojnë të shtruar në spital vetëm një ditë ose do të lëshohen të njëjtën ditë, gjë që është një përfitim i madh për pacientët. Gjithashtu promovojmë aparatin e ri të mamografisë me tomosintezë dhe biopsisë "Tero-Taktike" të gjirit, të instaluar në repartin e ri Radiodiagnostik, ku kemi dy kabinete gjiri. Është instaluar dubleri i ri me ultra-tinguj Ehokolor për eko gjiri, i cili do të mundësojë kryerjen e mamografisë dhe eko të gjirit në të njëjtën kohë. Përdorimi i tomosintezës si një mjet ndihmës rrit shkallët e zbulimit të ndryshimeve kanceroze, duke përmirësuar kështu efikasitetin e programeve të skriningut të kancerit të gjirit.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Për shkak të numrit të lartë të pacientëve që vijnë për kontroll në këtë spital, nevoja për këto lloje pajisjesh ka qenë e kamotshme, thotë drejtuesi i Klinikës për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit”, Luben Arsenkov.
“Brenda vitit, 120 mijë pacientë vijnë në këtë klinikë për kontrolle ambulatore dhe diagnostifikime. Këtë vit kemi pasur rritje të aktiviteteve operative me mbi 4,500 operacione dhe ky numër është duke u rritur në 5,000, prandaj aparatura që është sjellë lehtëson punën e personalit mjekësor dhe ndihmon pacientët për trajtim më të shpejt. Nevoja për këto pajisje ka qenë e kamotshme.”, - theksoi drejtori i Klinikës Kirurgjikale "Shën Naumi i Ohrit", Ljuben Arsenkov.
Investimi total për pajisjet e reja është rreth 1 milion euro, para të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë. E gjithë kjo është një plotësim i serisë së investimeve në shëndetësi, të cilat përmirësojnë dhe modernizojnë vazhdimisht këtë sektor, u tha në këtë rast.
FARIJE DAUTI BAKIJU
