Botë

DASh, Kosova kërkon të blejë raketa “Javelin”

12.01.2024 13:54

Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh....

Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri, bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga ShBA-ja. Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake për rastin e shitjes së raketave “Javelin” dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën. 

“Shitja e këtyre armëve mbështet politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të ShBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të ShBA-së.”, kanë thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. 
 
Furnizimi i Kosovës me raketa “Javelin”, Osmani pret që Kongresi ta miratojë shitjen
 
Ndërkohë presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova po hyn në një fazë të re dhe vendimtare për aftësitë mbrojtëse, duke zhvilluar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s, duke thelluar edhe më shumë marrëdhëniet me ShBA-në.  
 
“Në veçanti, dëshiroj të falënderoj sekretarin e shtetit, Blinken, me të cilin ne u angazhuam në diskutime në lidhje me Programin e Shitjes së Jashtme Ushtarake në korrik 2022, Departamentin e Mbrojtjes së ShBA-së dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tani ka marrë njoftim zyrtar për qëllimin e Kosovës për të blerë sistemet e armëve nëpërmjet programit.”, ka shkruar Osmani në fejsbuk, duke shtuar se ka besim të plotë se Kongresi Amerikan do ta mbështesë këtë shitje. 
 
Njoftimi për synimin e Kosovës që të blejë sisteme raketore nga ShBA-ja nuk është mirëpritur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka cilësuar këtë lajm “zhgënjim të madh”. Buxheti për këtë vit i Ministrisë së Mbrojtjes i Kosovës është mbi 153 milionë eurosh. 
 
GYLTENE SINANI