Botë

ShBA dhe Britania, sulme kundër rebelëve Huthi në Jemen

12.01.2024 14:14

Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulme ajrore dhe detare ndaj objektivave...

Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulme ajrore dhe detare ndaj objektivave ushtarake të grupit rebel Huthi në Jemen si përgjigje ndaj sulmeve të tyre kundër anijeve tregtare amerikane dhe ndërkombëtare në Detin e Kuq, ka bërë të ditur Komanda Qendrore e ShBA-së. Sulmet janë kryer me raketa “Tomavk”, të lëshuara nga nëndetëse dhe aeroplan luftarak. Presidenti amerikan Bajden ka thënë se nuk do të tolerojë cenim të lundrimit të lirë. Qëndrim të njëjtë ka mbajtur edhe kryeministri britanik, Sunak, i cili ka thënë se sulmet e Huthëve nuk do të tolerohen. Zëdhënësi i Pentagonit tha se operacioni ushtarak ishte i domosdoshëm.
 
“Sulmi i pakuptimtë, i kundërligjshëm dhe kompleks i së martës nga ana e Huthëve në pjesën jugore të Detit të Kuq edhe një herë e dëshmoi rëndësinë e operacionit. Jemi falënderues ndaj më shumë se 20 kombeve, të cilët u bashkëngjitën në operacionin “Prosperitet Gardian”, për mbrojtjen e lundrimit detar dhe sigurinë në Detin e Kuq, përfshirë Singaporin, i cili këtë javë njoftoi se do t’i bashkëngjitet këtij koalicioni ndërkombëtar.”, - deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, Pet Rajder.
 
Sulmet e përbashkëta të ShBA-së dhe Britanisë u kryen me mbështetjen e Australisë, Kanadasë, Holandës dhe Bahrejnit.        
                                    
"Australia qëndron për një rend të bazuar në rregulla. Australia duhet të mbrojë lirinë e lundrimit. Ne jemi një komb tregtar ishullor, shumica e prosperitetit tonë bazohet në linjat detare të komunikimit, lirinë e tregtisë në det të hapur.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes i Australisë, Riçard Marles.
 
Udhëheqësi i Huthit kërcënoi se Uashingtoni dhe Londra së shpejti do të kuptojnë se sulmet ndaj Jemenit janë marrëzia më e madhe në historinë e tyre. Dënimi i sulmeve erdhi edhe nga Irani dhe Hezbollahu libanez. Arabia Saudite bëri thirrje për përmbajtje, Rusia kërkoi një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. 
 
“Ne nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që mundemi. Çdo agresion amerikan nuk do të mbetet pa përgjigje. Ne i këshillojmë të gjitha vendet aziatike dhe evropiane, në lindje, në perëndim, të mos ndërhyjnë me Amerikën, le të vëzhgojnë dhe fakti që Britania u përfshi nuk ka asnjë problem.", - u shpreh lideri suprem i rebelëve Huthi, Abdel Malek al-Huthi.
 
Ky është sulmi i parë ndaj Huthit që kur grupi bombardoi anije mallrash në Detin e Kuq me dronë dhe raketa në nëntor. Dy ditë më parë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që u kërkon Huthëve të Jemenit të ndalojnë sulmet ndaj anijeve komerciale dhe tregtare. 
 
FITORE DEMOLLI