Maqedoni

Kovaçevski për Qeverinë teknike: Me Mickoskin nuk diskutojmë për kuadrot

12.01.2024 14:41

Çështjet kadrovike nuk do të jenë pjesë e diskutimit në takimin mes kryeministrit, Dimitar Kovaçevski...

Çështjet kadrovike nuk do të jenë pjesë e diskutimit në takimin mes kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, me kryeopozitarin, Hristijan Mickoski. Një gjë të tillë e ka vërtetuar kryeministri Kovaçevski, pasi sipas tij, secila parti vendos se kë do të delegojë në postet në Qeverinë teknike. Kovaçevski dhe Mickoski pritet të bisedojnë për elemente tjera sa i përket procesit zgjedhor, por që ende nuk është caktuar data e takimit.
 
“Për përzgjedhje kadrovike nuk mund të takohemi, sepse çdo parti politike i jep zgjidhjet e veta të kuadrove në një Qeveri teknike apo në ndonjë qeveri tjetër koalicioni. Për nga forma dhe thelbi i saj, kjo qeveri është një koalicion në të cilin do të marrë pjesë edhe opozita me portofol të përcaktuar saktë sipas Ligjit për Zgjedhjet dhe Ligjit për Qeverinë. Ata duhet të shpallin kandidatët e tyre dhe t'i dorëzojnë më vonë në Qeveri dhe në Kuvend që të mund të zgjidhen. Sigurisht që do të takohemi për të diskutuar për elementet e tjera të zgjedhjeve.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Përndryshe VMRO-DPMNE-ja në Komitetin Ekzekutiv ka marrë vendim për pjesëmarrje në Qeverinë teknike. Siç ka informuar anëtari i kryesisë së VMRO-DPMNE-së, Timço Mucunski, Komiteti Qendror i partisë pritet të marrë vendim për autorizimin e kryetarit të partisë, Hristijan Mickoski, për përzgjedhjen e personave që do të jenë pjesë e Qeverisë teknike. Mucunski tha se ministrat dhe zëvendësministrat nga partia e tyre për Qeverinë teknike do të njihen pas Buzmit. I pyetur nëse ka një afat deri në të cilin do të merret vendimi për ministrat që do të jenë në Qeverinë teknike, Mucunski tha se vendimi do të merret deri në fund të janarit.
 
ERSAN PAJAZITI