Ekonomi

Përfitimet ekonomike nga integrimi në BE, investime të huaja, punësime të reja e paga të larta

12.01.2024 15:05

Integrimi i plotë i vendit në BE do të thotë më shumë investime të huaja...

Integrimi i plotë i vendit në BE do të thotë më shumë investime të huaja, vende të reja të punës, standarde më të mira për jetesë, paga dhe pensione më të larta dhe kompani më konkurrente në tregun e integruar evropian. Ky është konkuzioni gjithëpërfshirës i përfaqësuesve të ekzekutivit i thënë në panel diskutimi kushtuar temës “Përfitimet ekonomike nga integrimi në BE për kompanitë dhe qytetarët”. Kryeministri Dimitar Kovaçevski u shpreh optimist se investimet do të rriten nga viti në vit.
 
“Orientimi euroatlantik i vendit ka sjell nivel të lartë të investimeve në vlerë prej 754 milionë euro në vitin 2022, sepse investitorët donin ambient të qëndrueshëm dhe të sigurt për investime. Kemi rreth dy herë më shumë investime të huaja në krahasim me vitin 2016 kur ato ishin vetëm 338 milionë euro. Me integrimin tonë të plotë në BE, ne nga partnerët tanë të huaj do të fitojmë besim shtesë që do të reflektojë me rritje më të mëdha tek ne.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
 
Numri “një” i financave, Fatmir Besimi, tha se plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor i BE-së që përfshinë 6 miliardë euro grande dhe kredi, do të ndihmojë jo vetëm ekonominë e vendit, por do të mbështesë rrugën tonë evropiane dhe do të kontribuojë në transformimin e të gjithë shoqërisë për hyrje në BE.
 
“Plani i rritjes është i mirë, sepse ai nga njëra anë lidh mjetet e BE-së me reformat dhe nga ana tjetër lidh projektet kapitale të investimeve dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse në këtë  mënyrë  të dyja bashkë përputhen me reformat tona. Ky plan do të sjellë integrim të plotë në tregun evropian, ku kompanitë tona do të jenë më konkurrente.”, - theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
 
Zëvendëskryeministrat për Çështje Evropiane dhe Ekonomike, Bojan Mariçiq dhe Fatmir Bytyqi, thanë se Qeveria mbetet e fokusuar për t’i zbatuar qëllimet e përcaktuara evropiane. Një pikënisje e mirë është legjislacioni i harmonizuar evropian dhe disa kompani të cilat veç më janë pozicionuar mirë në tregun evropian, thanë Mariçiq dhe Bytyqi. 
 
“Ne kemi legjislacion të mirë, të harmonizuar, edhe pse ai ndoshta nuk po zbatohet në mënyrën e duhur, por mund të them se në rajon jemi ndër shtetet më të mira sa i përket harmonizimit të legjislacionit të mekanizmave  juridike. Plani i rritjes ekonomike është ushtrim i mirë parapërgatitor për atë se çfarë do të vijojë pasi do të integrohemi në tregun e madh evropian.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
 
“Transformimi i ekonomisë sonë fillon që nga momenti i sjelljes së çdo biznesi individual dhe këtë gjë e kanë treguar shumë kompani. Vet fakti që kemi 919 kompani, të cilat janë në prodhimtari dhe përpunime të ndryshime dhe që janë të ndihmuara nga Qeveria që të bëjnë investime individuale në vlerë prej gjysmë miliardi gjatë këtyre 5 viteve, për të qenë ata më produktiv dhe më konkurrent në tregun  evropian, është çelësi i suksesit që kemi trasuar gjatë këtyre 6 viteve.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
Ky panel diskutimi u organizua në kuadër të fushatës së Qeverisë “E ardhmja evropiane, më afër se kurrë”. 
 
REXHEP QAMILI