Maqedoni

Rrahu për vdekje vajzën 2-vjeçare, tridhjetë ditë paraburgim për babain nga Kërçova

12.01.2024 15:45

Tridhjetë ditë paraburgim për babain nga Kërçova që rrahu për vdekje vajzën 2-vjeçare....

Tridhjetë ditë paraburgim për babain nga Kërçova që rrahu për vdekje vajzën 2-vjeçare.
 
“Tridhjetë vjeçari F.D., i cili ka rrahur vajzën dyvjeçare që më vonë si pasojë ndërroi jetë në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, njofton SPB-Ohër.
 
Policia bën me dije se babai F.D. është dërguar në burgun e Manastirit. Prokuroria e Kërçovës më 11 janar hapi hetimet për veprën “vrasje”.
 
“Më 18 dhjetor të vitit 2023, gjatë ushtrimit të dhunës në familje, i dyshuari i ka marrë jetën vajzës së tij, e lindur në vitin 2022. Ai e goditi disa herë me duar dhe këmbë, duke i shkaktuar lëndime të rënda fizike, një kockë e thyer në kafkë, gjakderdhje në tru dhe dy brinjë të thyera.”, tha Prokuroria.
 
Nga Ministria e Shëndetësisë dje njoftuan se 2-vjeçarja në spital është pranuar në gjendje kome, ndërsa ka ndërruar jetë 20 ditë pas luftës për jetë.