Maqedoni
Dokumentet personale, Kovaçevski: Letërnjoftimet do të vlejnë më gjatë
12.01.2024 16:06
Letërnjoftimet aktuale do të vlejnë edhe pas 12 shkurtit, kur skadon afati për ndërrimin e tyre me emrin e ri të shtetit...

Letërnjoftimet aktuale do të vlejnë edhe pas 12 shkurtit, kur skadon afati për ndërrimin e tyre me emrin e ri të shtetit, njofton kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Kreu i ekzekutivit nuk sheh pengesë për prolongim pasi bëhet fjalë për dokument për përdorim të brendshëm, ndërkohë që paralajmëron shqyrtimin e mundësisë për shtyrjen e afatit të shfrytëzimit të pasaportave.
“Dokumentet që janë për përdorim të brendshëm do të vlejnë, si për shembull letërnjoftimet. Pasaportat nuk nxirren të reja për shkak të institucioneve, por për t’iu mundësuar qytetarëve udhëtimin jashtë shtetit. Mund të shqyrtohet çdo iniciativë. Kuptohet se Gjykata Kushtetuese si institucion më i lartë do të prononcohet. Të punësuarit në MPB deri më tani kanë dhënë 1 milion e 200 mijë pasaporta. Kjo dëshmon se ata punojnë me tempo të plotë.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
VMRO: Materiali për pasaporta, kah fundi
Por kaosi i krijuar në aplikimin dhe marrjen e dokumenteve ka qenë në qendër të akuzave të opozitës. VMRO-DPMNE-ja fajëson Spasovskin për këtë imazh dezhavu, të përjetuar edhe para katër viteve gjatë Qeverisë teknike. Alarmojnë se për pasaporta po mbarojnë materialet.
“Problemi më i madh është se në depot e Ministrisë së Brendshme nuk ka material për përgatitjen, thjesht nuk ka mundësi teknike. Sipas të dhënave tona, materialet e reja për pasaporta duhet të mbërrijnë kah mesi i muajit mars. Për momentin po harxhohen shabllonet e fundit vetëm për procedura urgjente ose për persona të privilegjuar, të afërt me LSDM-në dhe BDI-në, përderisa personat që fotografohen edhe pas 30 ditëve nuk u jepen pasaportat.”, - theksoi Naqe Çulev nga VMRO-DPMNE.
Për daljen nga situata, VMRO-ja fton Gjykatën Kushtetuese të vërtetojë jokushtetueshmërinë e gjithë kësaj praktike dhe të mundësojë që qytetarët periudhën që vjen të shfrytëzojnë dokumentet që kanë. Me marrjen në menaxhim të MPB-së, partia e Mickoskit premton se do të hapin qendra të reja për të vënë rendin në fotografimin dhe dhënien e dokumenteve.
MERAL ISMAILI
