Maqedoni

30 vite marrëdhënie diplomatike me Irlandën, Kovaçevski: Irlanda, përkrahësi ynë më i fuqishëm

12.01.2024 16:55

Me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në pallatin e Qeverisë, kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski...

Me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në pallatin e Qeverisë, kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, priti në një vizitë zyrtare kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar. Irlanda është ndër partnerët më të fuqishëm të RMV-së në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian, sepse përpjekjet e Irlandës për vendin tonë kanë qenë të mëdha që nga viti 2004 kur kryesimin me Bashkimin Evropian e kishte pikërisht Irlanda, tha mes tjerash kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, gjatë takimit që kishte me kryeministrin irlandez. 
 
“Kishim një takim shumë të frytshëm, ku kishim mundësi që përskaj shumë temave të ndryshme në sferën e ekonomisë të bisedojmë edhe për rrugën eurointegruese të vendit tonë në BE. Irlanda është partneri ynë më i fuqishëm dhe unë këtu e marr të drejtën të them se Irlanda është përkrahësi ynë më i fuqishëm. Irlanda është edhe një shembull shumë i mirë për vendin tonë, sepse për çështjet me thelbësore për vendin, të gjitha forcat mbështesin interesin e shtetit. E njoftova homologun tim për procesin e mbaruar të skriningut dhe mbledhjeve ndërqeveritare, por për këtë duhet t’i mbarojmë obligimet tona gjatë mandatit të ardhshëm të Qeverisë.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
 
Varadkar: Integrimi në BE, ambicie nacionale
 
Nga ana tjetër, kryeministri irlandez shprehu interesimin që ka Irlanda pikërisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Varadkar, poashtu theksoi se anëtarësimi në BE duhet të jetë ambicie nacionale dhe jo partiake e vetëm një subjekti politik dhe në këtë drejtim RMV-ja e ka mbështetjen e Irlandës deri në fund. 
 
“Vizita ime dhe e delegacionit tim në RMV, që më parë vizituam Kosovën dhe Malin e Zi, tregon interesimin e Irlandës në këtë rajon, por edhe vendosmëria jonë për ta ndihmuar RMV-në dhe fqinjët e saj në rrugën eurointegruese. Kyçja në Bashkimin Evropian duhet të jetë ambicie nacionale dhe jo partiake. Ne kur jemi bërë pjesë e BE-së, kishte konsensus për këtë çështje dhe këtë frymë dua ta shoh edhe tek vendi juaj.”, - theksoi kryeministri irlandez, Leo Varadkar.
 
Varadkar, po ashtu theksoi se RMV-ja duhet të jetë më e ashpër në luftën e saj kundër krimit dhe korrupsionit dhe këto kryerës të këtyre veprave të dënohen. Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri irlandez në vendin tonë, i cili këtë vit shënon 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Irlandën. 
 
FITIM KRYEZIU