Spitali i Strugës, reparti i pediatrisë i mbushur me fëmijë
13.01.2024 13:58
Reparti i pediatrisë në Spitalin e Strugës...

Reparti i pediatrisë në Spitalin e Strugës po përjeton fluks të madh të fëmijëve të prekur nga virozat. Mjekët thonë se gjithmonë në këtë periudhë, ka fluks të madh të pacientëve. Megjithëse ditët e fundit numri i pacientëve ka filluar të zvogëlohet, për festat e fundvitit dhe ahengjet familjare që ishin gjatë sezonit dimëror, numri i fëmijëve me probleme shëndetësore ishte shumë i lartë.
Nga spitali thonë se reparti ka kapacitet për të përballur flukset e mëdha. Reparti ka 12 shtretër për fëmijët të cilët duhet të qëndrojnë në spital, ndërsa është edhe ambulanta ditore ku trajtohen fëmijët me simptoma më të lehta.
“Fluksi deri para dy ditësh ishte edhe më i madh tani ka filluar të zvogëlohet por ka të sëmurë. Ka të bëjë edhe ajo, fundviti festat bashkimet familjare, duke e pas parasysh se kto sezone i gripeve, mënyra e të përçuarit është me kollitje, teshitje dhe kontakte të shpeshta midis njerëzve, nuk përmbahemi siç duhet ato higjienat personale të duarve dhe atë që duhet të përçohen sidomos te fëmijët. Reparti ka 12 krevatë, kemi edhe ambulantën ditore për fëmijët që marin terapi dhe shkojnë, ndërsa fëmijët ndër 2 vjet, kanë trajtim spitalor që marrin më së shpeshti terapi, por ja arrijm disi” - tha mjeku në repartin e pediatrisë, Vullnet Bekteshi.
Në repartin e pediatrisë në spitalin e Strugës ka 5 mjekë specialist, njëri prej të cilëve është në subspecializim. Ndërsa në spitalin e pediatrisë në Strugë trajtohen edhe pacientë nga Ohri.
Megjithatë, ndryshe nga viti i kaluar, tani në spitalin e Ohrit ambulanta ditore funksionon me dy orare, ndërsa në orët e kujdestarisë, gjatë festave dhe në fundjavë, pacientët trajtohen në spitalin e Strugës.
“E kemi pak lodhje, për momentin jemi 5 specialistë nga të cilët njëri është në edukim subspecializim, kemi mjek të rinj që na ndihmojnë, e përballojmë. Faleminderit edhe spitali i Ohrit që ka mundësuar tani, punojnë në dy ndërrime, ne tani na mbetet obligim ti mbulojmë për festat dhe për kujdestari. Ja arrijm, mundohemi por bëjmë çmos.” - shprehet Bekteshi.
Mjekët thonë se jo të gjithë fëmijët kanë simptoma të gripit, tek disa ka vetëm ftohje të lehtë. Problemi më I theksuar është tek grupmoshat e vogla, deri në 2 vjeç , ku komplikimet janë më të shpejta dhe duhet më shumë mbikqyrje për to.
Mjekët apelojnë te prindërit që të rrisin kujdesen, ti përmbahen higjienës dhe të shmangin grumbullimet e sidomos kontaktet me fëmijë të sëmurë. (Ilmije Zhaku, TVM2)
