Tajvani me president të ri, kundërshtarë i ashpër i Kinës

13.01.2024 15:48

Në zgjedhjet presidenciale në Tajvan...

Në zgjedhjet presidenciale në Tajvan, pas përmbylljes së votimit, Presidenti i ri tajvanez është zgjedhur Lai Ching-Te, i partisë në pushtet PPD-(Partia Progresive Demokratike), i cili ishte njohur për mbrojtjen e identitetit të veçantë të Tajvanit dhe refuzimin e pretendimeve territoriale të Kinës. 
 
Partia Progresive Demokratike e Lait, e  kërkoi  mandatin e tretë, të paprecedentë në sistemin aktual zgjedhor tajvanez.
 
"Tajvani i ka thënë botës se, midis demokracisë dhe autoritarizmit, ne kemi zgjedhur të qëndrojmë në anën e demokracisë dhe Tajvani do të vazhdojë të ecë krah për krah me aleatët e saj ndërkombëtarë në demokraci. Së bashku kemi shkruar një faqe të re të demokracisë dhe i kemi treguar botës sa i çmojmë institucionet tona demokratike, gjë nga e cila nuk do të heqim dorë kurrë” - tha Presidenti i sapozgjedhur i Tajvanit, Lai Ching - Te. 
 
Kandidati i partisë kryesore opozitare të Tajvanit Kuomintang (KMT), Hou Yu-ih, ka pranuar humbjen në zgjedhje.
 
"Kam bërë më të mirën time, por për fat të keq nuk kam pasur sukses në ndryshimin e qeverisë. I kam zhgënjyer të gjithë ata që më votuan. Doja të shpreh këtu faljen time më të thellë. Më vjen keq për zhgënjimin tuaj, por duhet ta pranoj humbjen!" - deklaroi Hou Yu-Ih, kandidat presidencial i Kuomintang. 
 
Gjatë fushatës, Lai theksoi se ai “është i përkushtuar për të ruajtur paqen në të gjithë ngushticën e Tajvanit dhe për të forcuar mbrojtjen e ishullit”. 
 
Këto zgjedhje nuk kanë rëndësi vetëm për vendin e vogël ishullor por kanë ndezur edhe më shumë konkurrencën globale SHBA-Kinë: ëashingtoni e mbron ishullin prej kohësh me armë e luftanije dhe i ndalon Pekinit imponimin e ndikimit të tij deri edhe ne ngushticën e Tajvanit, e për rrjedhojë, në mbarë Indo-Paqësorin. 
 
Për Pekinin ngushtica në fjalë përfaqëson një nyjë të rëndësishme për tregtinë kineze. Në prag të zgjedhjeve, Kina e ka akuzuar vazhdimisht Lain si një separatist të rrezikshëm dhe ka refuzuar me këmbëngulje ftesat e përsëritura për bisedime.
 
Lai u përball me dy kundërshtarë për presidencën – Hou Yu-ih ,i KMT-së dhe ish-kryebashkiaku i Taipeit, Ko ëen i Partisë së vogël Popullore të Tajvanit, e themeluar në vitin 2019. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)