Irak, Turqia i bombardon militanën kurdë
13.01.2024 16:44
Turqia ka kryer sulme ajrore...

Turqia ka kryer sulme ajrore ndaj militantëve në Irak dhe Siri, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Sulmet u kryen një ditë pas një sulmi ndaj një baze ushtarake turke në Irak, ku u vranë nëntë ushtarë turq. Ministria e Mbrojtjes, tha se avionët luftarakë turq i sulmuan caqet në Metina, Hakurk, Gara dhe Qandil në veri të Irakut, por nuk tregoi se cilat zona në Siri.
Ajo tha se avionët e saj shkatërruan shpella, bunkerë, mburoja dhe objekte nafte “për t’i eliminuar sulmet terroriste kundër popullit dhe forcave tona të sigurisë, si dhe për ta garantuar sigurinë kufitare”.
Gjatë sulmeve u “neutralizuan shumë militantë”, tha Minsitria turke e mbrojtjes.
Mbrëmjen e së premtes, sulmuesit tentuan të futën në një bazë ushtarake në veri të rajonit gjysmautonom kurd të Irakut, duke i vrarë pesë ushtarë. Katër ushtarë të tjerë vdiqën më vonë nga plagët e rënda.
Ministria turke e Mbrojtjes tha se janë vrarë 15 militantë. Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, njoftoi se policia i ka arrestuar 113 të dyshuar për lidhje me PKK-në gjatë bastisjeve në 32 provinca turke.
