Struganët, interesim të ulët për pushimet dimërore

14.01.2024 14:02

Në krahasim me vitet e kaluara...

Në krahasim me vitet e kaluara, viteve të fundit interesimi i struganëve për të udhëtuar gjatë sezonit dimëror është më i vogël. Nga agjencionet turistike thonë se ka oferta për buxhete të ndryshme, por interesimi i struganëve për festat e fundvitit dhe festat që pasuan, ishte shumë i vogël.

Kishte vetëm disa udhëtime individuale, prej të cilëve më së shumti udhëtuan drejt Dubait dhe metropoleve të Europës.

Megjithatë ka interesim për vendet atraktive të dimrit, ku ka hapsirë edhe për skijim. 

“Këtë vit gjatë festave të fundvitit kishte interesim më të vogël për të udhëtuar, përveç disa udhëtimeve individuale për festat e fundvitit. Ata që udhëtuan individualisht kishte për në Dubai dhe në metropolet evropiane, por nuk mund të thuhet se ishin shumë në numër të madh. Megjithatë ka interesim më të madh për dimërim. Vendet më të kërkuara për dimërim tradicionalisht janë Banskoja dhe Boroveci në Bullgari” – deklaroi Ankica Krstanoska, pronare e Agjencionit turistik “Aura travel”.

Struganët preferojnë më së shumti pushimet verore. Viteve të fundit është rrit interesimi për udhëtime në vendet e largëta dhe vendet tropikale. Ndërsa që tani ka filluar interesimi për udhëtimet e verës.

“Në verë është pa konkurencë, struganët janë mësuar me liqenin tonë dhe me ambient veror prandaj preferojnë më së shumti të udhëtojnë në verë. Tashmë ka filluar interesimi, kemi filluar të pranojmë pagesat për pushimet verore, të cilat janë me programe charter, më së shumti në Antali, Bodrum, Egjipt dhe Tunis. Duan edhe vendet tropikale, kryesisht të rinjtë, më së shumti në Maldive, ku kalojnë muajin e mjaltit. Ndërsa ka interesim edhe për Dubai dhe Bali.” – tha Ankica Krstanoska, pronare e Agjencionit turistik “Aura travel”.

Struganët më së shumti udhëtojnë në fillim dhe në fund të sezonit, për shkak të sezonit turistik që është edhe në Strugë. Ndërsa këtë vit tashmë ka filluar interesimi për udhëtime për kohë më të shkurtër në pranverë, kryesisht në muajt mars dhe prill, për shkak se atë periudhë në vend ka shumë festa.

Ndërsa kanë filluar edhe rezervimet e turistëve të cilët vizitojnë Strugën në pranverë dhe verë. (Ilmije Zhaku, TVM2)