MPB, kapet dileri i drogës me iniciale R.K
Policia me urdhër të Prokurorisë...

Policia me urdhër të Prokurorisë, ka kryer bastisje në tre lokacione në lagjen Gazibabë të Shkupit, me ç’rast ka arrestuar një 45 vjeçar, nën dyshimin për trafikim me lëndët narkotike.
“Me urdhër të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup janë kryer hulumtime kriminalistike nga shtatori i vitit 2023 deri në janar të vitit 2024 për 45 vjeçarin R.K. nga Shkupi, i cili më herët ishte gjykuar dhe dënuar me 15 vjet burg për shitje të drogës”, bënë të ditur Policia.
Ai dyshohet për shitblerje të kokainës, heroinës dhe marihuanës.
“Gjatë bastisjes janë kapur tri peshore, në pjesën afariste janë kapur 21 kompjuterë me monitor dhe pajisje lojrash, pajisje të ndryshme kompjuterike, në vlerë prej 120 mijë eurosh, për çka dyshohet se janë blerë me para nga shitja e drogës”, - njofton Policia.
Gjatë procedurës ndaj të dyshuarit do të kryhet hetim financiar. Nëse vërtetohen dyshimet se pajisjet e gjetura, mjetet e transportit dhe pasuritë e paluajtshme janë përfituar me mjete financiare të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, Prokuroria Publike do të nisë procedurën e konfiskimit, sipas dispozitave ligjore të një prone prej rreth 600 mijë eurosh.
Gjatë hetimeve është konstatuar se R.K. ka blerë kokainë, heroinë dhe marihuanë dhe më pas i ka ripaketuar dhe rishitur te një numër i madh njerëzish.
