Maqedoni
LASh, organizator i garave rajonale në gjuhë dhe letërsi shqiptare
30.03.2015 14:49
LASH-i, pas pesëmbëdhjetë viteve pauzë, organizon këtë vit garat rajonale në lëmin e gjuhës dhe letërsisë shqiptare...

Garat kanë për qëllim t’i motivojnë nxënësit për të arritur suksese më të mëdha në përvetësimin e njohurive, ndërkohë që fituesit e garës do të marrin pjesë në garat republikane, që do të mbahen më 18 prill.
“Ne jemi të kënaqur, 90 nxënës kanë qenë pjesëmarrës nga Tetova në Shkup. 70 nxënës që i plotësojnë mbi 70% të pyetjeve do të marrin pjesë në garat republikane më 18 prill, që do të mbahen në Shkup. Pas 15 viteve pauzë organizohen garat dhe kush do të fitojë vendin e parë, dytë dhe të tretë do t’i mundësohet regjistrim në shkolla të mesme dhe bursa nga MASH-i”- deklaroi Nuhi Dardhishta nga LASH-i.
Nxënësit thonë se janë përkushtuar për përvetësimin e materialit nga gjuha dhe letërsia shqiptare, sepse, sipas tyre, konkurrenca është e madhe.
“Është dashur për një kohë të gjatë libri të perfeksionohet, shpresoj se do të fitojë, në të kundërtën me rëndësi është pjesëmarrja”- tha një nxënës.
“Gjuha është ajo që mban njeriun gjallë, andaj jam bazuar në materialin e përgatitur dhe kam shfletuar edhe libra”- theksoi një nxënës.
Vendi i parë në garat e sotme i takoi Shkollës Fillore “Ismail Qemali”, vendi i dytë i takoi shkollave, “Liria” dhe “Kongresi i Manastirit”, ndërsa në vendin e tretë është radhitur Shkolla Fillore “Hasan Prishtina”.
FLUTURA LATIFI
