Maqedoni

Menaxhimi me procesin e aderimit, Britania mbështet Maqedoninë në sferën e mjedisit

30.03.2015 15:25

Ministri i Mjedisit Jetësor, Nurhan Izairi, dhe ambasadori britanik në Maqedoni, Edmund Çarlls Garet...

Ministri i Mjedisit Jetësor, Nurhan Izairi, dhe ambasadori britanik në Maqedoni, Edmund Çarlls Garet, mbajtën fjalim në hapjen e konferencës përfundimtare të projektit “Menaxhimi me procesin e aderimit drejt Bashkimit Evropian në sektorin e mjedisit jetësor”.
 
Izairi, me këtë rast tha se kapitulli 27 është njëri ndër kapitujt më kompleks dhe më të shtrenjtë në procesin e aderimit drejt Bashkimit Evropian, që, sipas ministrit Izairi, kërkon një koordinim dhe bashkëpunim të mirë nga të gjithë faktorët e kyçur dhe planifikim të mirë të të gjitha aktiviteteve të cilat ndërmerren me qëllim të zbatimit të legjislacionit kombëtar dhe të atij të Unionit Evropian.
 
“Qëllimi i planifikimit të mirë është të sigurohet në mënyrë efikase, me këtë rast me shpenzime më të vogla dhe në një afat më të shkurtër bashkëkohor, ku do të arrihen rezultate më të mira të mundshme. Mjetet në dispozicion të Republikës së Maqedonisë dhe ato të cilat i marrim si ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe donatorë të tjerë janë të kufizuara dhe për këtë nevojitet që të sigurohet shfrytëzim sa më i mirë i tyre”- deklaroi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.
 
Në këtë drejtim ambasadori britanik në Maqedoni, mes tjerash, tha se Britania e Madhe mbetet përkrahësja e Maqedonisë në procesin e reformave.
 
“Britania e Madhe mbetet përkrahësja e Maqedonisë në procesin e reformave dhe mendoj që kjo është e rëndësishme për ne, që të shkëmbejmë ekspertiza dhe eksperienca, që ta ndihmojmë Maqedoninë t’i përmirësojë proceset e saj dhe i kemi treguar mirënjohje Maqedonisë sa herë që ajo ka treguar progres. Unë e shoh si një shembull shumë të mirë se sa benefit ka një vend pretendent për aderim në BE nga procesi i zgjerimit. Zgjerimi dhe projekti i BE-së në përgjithësi është i bazuar në idenë “jemi më të fortë të bashkuar”, jemi më të fortë me bashkëpunim””- tha ambasadori i Britanisë së Madhe, Edmund Çarls Garet.
 
Në konferencën përfundimtare u prezantuan gjithashtu të gjitha aktivitetet, rezultatet dhe arritjet e projektit për ambient cilësor, i cili është i mbështetur nga Ambasada britanike.
 
GYLTENE SINANI