Maqedoni
DAP: Parandaluam mashtrim për kthim të TVSh-së
15.01.2024 14:14
Drejtoria për të Ardhura Publike publikoi hollësi për mënyrën në të cilën kompani të naftës...

Drejtoria për të Ardhura Publike publikoi hollësi për mënyrën në të cilën kompani të naftës, me fatura të rrejshme kanë dashur të marrin kthim të TVSh-së dhe pagesa në bazë të tatimit të të ardhurave personale. Llukarevska thotë se në bazë të TVSh-së është parandaluar mashtrim në vlerë prej më shumë se 160 milionë denarë, ndërsa në bazë të të hyrave personale shuma arrin në gati 19 milionë denarë. Sipas saj, bëhet fjalë për tre tatimpagues dhe pesë furnizues. Buxheti nuk ka dëme, sepse zyrtarët tatimorë kanë penguar pagesën për rimbursim të TVSh-së, ndërsa rastin ua ka dorëzuar organeve kompetente, thotë Llukarevska.
“Gjendja e konstatuar dhe provat e siguruara nga kontrollet e kryera janë dorëzuar në organet hetimore për të vepruar në përputhje me kompetencat e tyre ligjore. DAP-i ka dorëzuar raport me shkrim me dëshmi në Prokurorinë Themelore Publike dhe MPB-në më 15 nëntor të vitit 2023 dhe në Drejtorinë e Policisë Financiare më 1 dhjetor të vitit 2023.”, - deklaroi drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska.
VMRO-DPMNE: Te cilat kompani përfunduan paratë?
Nga opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, thonë se është mirë që DAP-i pranon se ka pasur një krim me rimbursimin e TVSh-së, por tani duhet të tregojnë se te cilat kompani kanë përfunduar paratë që kanë përfituar nga dëmtimi i buxhetit.
“Është mirë që DAP-i pranon se ka pasur një krim me rimbursimin e TVSh-së, që ka nxjerrë para nga thesari i shtetit, por e tmerrshmja është se e kanë pranuar vetëm pasi u zbulua nga VMRO-DPMNE-ja. Pyetja e vërtetë që duhet të përgjigjet DAP-i është se kush janë ato kompani që janë të afërta me pushtetin, gjegjësisht ku kanë përfunduar këto para?”, - theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
LSDM: Rastin e zbuloi DAP-i, opozita stop dezinformatave!
Për social-demokratët, VMRO-DPMNE-ja ose është shumë e dëshpëruar ose duan që ta rrezikojnë procedurën që e zbatojnë institucionet me urdhër të DAP-it.
“Rastin për keqpërdorime nga ana e kompanive e zbuloi pikërisht DAP-i dhe publikimi i informacioneve të pasakta dhe paushallë po e rrezikon procedurën, ndërsa partia opozitare duhet të ndalet me informacionet e rrejshme vetëm me qëllim për të bërë dëm.”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së.
SANIJE DURAKU
