Maqedoni
Radiologjia pajiset me rëntgen digjital, Pacientët: Terminet po keqpërdoren
15.01.2024 14:33
Pacientët ankohen se me muaj të tërë presim termin për rezonancë magnetike në Klinikën Universitare...

Pacientët ankohen se me muaj të tërë presim termin për rezonancë magnetike në Klinikën Universitare, por pritje ka edhe për leximin e rezultateve. Ky problem zvarritet me vite të tëra.
“Pres rezultat nga incizimi i boshtit kurrizor sepse kam dhimbje të mëdha. Ende nuk mund ta lexojnë rezultatin edhe pse më ishte thënë se do të jetë i gatshëm për dhjetë ditë pune.”, - u shpreh një paciente.
Për keqpërdorimet do të mbikëqyren mjekët amë
Përveç mungesës së kuadrit nga Instituti i Radiologjisë sqarojnë se ka edhe keqpërdorime të terminëve. Ato caktohen kur pacientët nuk kanë nevojë për incizim.
“Duhet të bëhet mbikëqyrje e pacientit, të konstatohet se cili pacient e ka me urgjencë bërjen e rezonancës magnetike dhe atij t’i jepet prioritet dhe duke e ditur se i njëjti nuk shkakton rrezatim andaj edhe kjo metodë e diagnostifikimit keqpërdoret.”, - deklaroi drejtoresha e Institutit të Radiologjisë, Gordana Antulleska Bellçevska.
Por, ministri i Shëndetësisë premton se këtë problematikë do ta zgjidh me punësimin e kuadrove të rinj. Për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, sipas tij do të jenë edhe aparati i ri digjital me rreze X për imazhe dinamike radiografike, si dhe mamografi për diagnistifikimin e kancerit të gjirit.
“Aparati me rreze X është i rëndësishëm për pacientët e rinj dhe i rëndësishëm për diagnostifikim një aparat i ngjashëm ka ekzistuar edhe më parë ku mesatarisht janë realizuar 3,000 ekzaminime për popullsinë më të re prej moshës 14-vjeçare. Kemi marrë edhe mamografi me tomografi, si edhe ekoaparat të cilat janë të rëndësishëm për diagnostifikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Kjo tregon se ne kujdesemi për parandalimin e sëmundjeve malinje.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Për t’u evituar keqpërdorimi i terminëve, Mexhiti paralajmëroi se do të mbikëqyren edhe mjekët amë gjatë dhënies së udhëzimeve.
FLUTURA LATIFI
