Botë
25 vite nga masakra e Reçakut, liderët e Kosovës me kërkesë që Serbia të dënohet për krimet e luftës
15.01.2024 15:55
Kosova rikujtoi 25-vjetorin e masakrës në Reçak, kur forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë...

Kosova rikujtoi 25-vjetorin e masakrës në Reçak, kur forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Zyrtarë të lartë të Prishtinës zhvilluan homazhe, duke përkujtuar të rënët në kompleksin memorial. Presidentja Osmani kërkon dënimin e Serbisë për krimet e kryera nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit duke shtuar se krimi në Reçak është cilësuar si krim kundër njerëzimit.
“Në vitin 1999 civilët janë vrarë mizorisht nga regjimi i Millosheviqit. Kjo e vërtetë ishte atëherë, është edhe sot dhe do të mbetet përherë e tillë në analet e historisë. Pavarësisht se sa tenton ta mohojë regjimi në vazhdimësi i Millosheviqit, ai i Vuqiçit, i cili sot burgos dhe torturon edhe vet serbët të cilët e pranojnë këtë të vërtetë dhe vendosin lule mbi fëmijët e vrarë gjatë luftës. Reçaku ka nevojë për drejtësi, sepse ajo është garanci që krime makabër si kjo të mos përsëriten asnjëherë.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Edhe ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, Uilliam Uallker, nderoi viktimat e masakrës së Reçakut. Sipas tij, falë sakrificës se shumë djemve të fshatit, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.
“Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën.”, - theksoi ish-ambasadori i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Uilliam Uallker.
Edhe sipas kryeministrit Kurti, fakti që civilët e vrarë u varrosën pas katër javësh, është tregues që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën e kësaj masakre. Ai po ashtu vlerësoi rolin e ish-ambasadorit Uallker, pasi sipas tij ai u kujdes t'i tregonte botës të vërtetën e Reçakut pa filtra dhe dënoi terrorin serb.
FLUTURA LATIFI
