Trajkovska: Axhiev nuk shfaqi mirëkuptim për profesionin e gazetarisë

30.03.2015 15:51

“Lustromëni edhe mua”, “Tome, a tallesh me ne?!”,” Komisioni për Verifikimin e Kërkesave” dhe “Gazetaria në hendek” janë disa nga pankartat me mbishkrime që mbanin në dorë anëtarët e iniciativës Plenumi i Gazetarëve, të cilët protestuan pas paralajmërimit se Komisioni për Verifikimin e Fakteve do të fillojë të lustrojë edhe gazetarët...

Pas takimit me kryetarin e Komisionit Lustrues, Tome Axhiev, gazetarja, Olivera Trajkovska, si pjesë e delegacionit të Plenumit të Gazetareve, deklaroi se Axhiev nuk ka shprehur asnjë mirëkuptim për profesionin e gazetarëve dhe i ka bindur se lustrimi i gazetares, Jadranka Kostova, është realizuar sipas ligjit.

“Ne takimi në Komisionin për Lustrim nuk na ka befasuar. Gjithçka është sipas ligjit, ashtu thotë Axhiev. Në të gjitha pyetjet tona se a e kuptojnë ndjeshmërinë e  profesionit gazetaresk dhe çfarë prova mund të sillen në arkivin shtetëror sa i përket komunikimit të gazetarëve shkaku i ndjeshmërisë së profesionit në fusha të ndryshme, përgjigja e Axhievit është se gjithçka është sipas ligjit, kishim fakte edhe pse vendimi është sjellë me mbivotim”- deklaroi gazetarja, Olivera Trajkovska.

Kryetari i Komisionit për Lustrim, Tome Axhiev, shprehet se nuk merren vetëm me gazetarët, por me të gjithë personat që përfshihen në Ligjin për Lustrim.

“Komisioni, gjatë gjithë kohës punon në zbulimin e bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret në një periudhë që e përfshin ligji. Në atë periudhë janë të përfshirë bartës të funksioneve publike, në mesin e të cilëve edhe të punësuar në servisin publik. Ne hulumtojmë deri në momentin e gjetjes së dokumentit, pavarësisht a është drejtor, ministër, deputet, gazetar në atë servis dhe kur zbulojmë dokumente, nëse ato janë valide, i vendosim në rend dite, i shqyrtojmë dhe sjellim vendime”- tha kryetari i Komisionit për Lustrim, Tome Axhiev.

Vendimi i Plenumit të Gazetarëve për të protestuar dhe kërkuar pranim të Axhievit vjen pasi që Jadranka Kostova, kryeredaktorja e “Fokus”-it, publikoi se është e lustruar. (Sanije Kasami, TVM2)