Botë
Tensionet në Lindjen e Mesme, Tel Avivi: Bëjmë gjithçka që pengjet të lirohen
15.01.2024 16:16
Vazhdon ankthi për fatin e personave të rrëmbyer në Rripin e Gazës....

Vazhdon ankthi për fatin e personave të rrëmbyer në Rripin e Gazës. Hamasi publikoi një video të pengjeve izraelitë duke i bërë thirrje Qeverisë në Tel Aviv të ndalojë ofensivën. Mes pengjeve është edhe një vajzë e rrëmbyer në festivalin “Supernova”. Tel Avivi thotë se po kërkon mënyra për t'i kthyer pengjet në shtëpitë e tyre.
“Çdo minutë dhe çdo mundësi është e rëndësishme për të kthyer pengjet në Gaza. Ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga Kan Junisi apo diku tjetër. Veprimi ushtarak kërkon kohë. Duhet që ne të jemi të saktë dhe të përshtatemi me kërcënimet dhe pengjet që ndodhen në zonë.”, - deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
Uang Ji: Të ndalojmë përshkallëzimin e konfliktit
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit vazhdojnë operacionet në Rripin e Gazës nga toka, deti dhe ajri. Betejat kryesore tani janë përqendruar në jug. Ministri i Jashtëm kinez, Uang Ji, tha se lufta në Gaza vazhdon të përshkallëzohet dhe bëri thirrje për një konferencë ndërkombëtare të paqes.
“Ne theksuam shqetësimin tonë për zgjerimin e konfliktit në rajon. Ne duhet të ndalojmë përshkallëzimin e konfliktit dhe t'i japim përparësi garantimit të sigurisë së lundrimit në Detin e Kuq. Është e rëndësishme të hapim një horizont politik për paqen midis Palestinës dhe Izraelit.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Kinës, Uang Ji.
Grant Shaps: Nuk është se ne duam të përfshihemi në aksion
Ndërkohë, avionët luftarakë amerikanë rrëzuan një raketë lundrimi kundër anijeve të lëshuar nga Huthi e Jemeni. Këto veprime u ndërmorën nën udhëheqjen e Uashingtonit dhe Londrës. Mbretëria e Bashkuar thotë se pret përgjigje ndaj këtyre sulmeve.
“Le të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në ujërat ndërkombëtare. Nuk është se ne duam të përfshihemi në aksion në Detin e Kuq. Por në fund të fundit, liria e lundrimit është një e drejtë ndërkombëtare që duhet mbrojtur.”, - u shpreh sekretari i Mbrojtjes, Grant Shapps.
Nga ana tjetër, kreu i Hezbollahut tha se do të vazhdojë përleshjet me forcat izraelite në kufirin me Libanin deri në përfundimin e ofensivës izraelite në Gaza.
VALBON BEXHETI
