Maqedoni
Panel diskutim për lojërat e fatit, nevojitet rregullim strikt i kësaj industrie
15.01.2024 16:48
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për lojërat e fatit nuk e zgjidhin problemin të cilin e paraqet bixhozi dhe varshmërinë nga bixhozi....

Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për lojërat e fatit nuk e zgjidhin problemin të cilin e paraqet bixhozi dhe varshmërinë nga bixhozi. Prandaj, duhet rregullim më strikt i kësaj industrie dhe po ashtu duhet të adresohen edhe problemet themelore që kanë të bëjnë me pasojat sociale dhe ekonomike, u tha në panel diskutimin e organizuar nga Instituti për Analiza Ekonomike, IDEA.
“Bixhozi në Maqedoninë e Veriut është fenomen jashtëzakonisht i përhapur që dëshmohet edhe me të hyrat shumë të larta ku mbi gjysmë miliardi euro të kompanive që organizojnë lojëra fati. Pasojat sociale siç janë vjedhjet, dhuna në familje apo edhe përfshirja e të miturve në lojëra fati janë të mëdha, por çuditërisht fare pak bisedohet për këto tema.”, - deklaroi Ilir Osmani nga Instituti IDEA.
Futja në procedurë parlamentare dhe miratimi i tij në komision ishte në koordinim mes partive në pushtet dhe VMRO-DPMNE-së, thotë deputeti i ASh-së, Halil Snopçe. Ai ka akuzuar VMRO-DPMNE-në për hipokrizi.
“Nëse jeni kundër si opozitë dhe sinqerisht angazhoheni për zgjidhjen e këtij problemi, respektivisht për mbylljen e kazinove, bashkëngjituni. Kryetari i komisionit i VMRO-DPMNE-së le të caktojë mbledhjen e komisionit për financa ta mbajmë mbledhjen në mënyrë të përshpejtuar, të votojmë propozimin e Aleancës dhe atëherë të mbyllen kazinotë. Nuk do të kesh mundësi të bësh krim, nuk do të kesh mundësi të bësh korrupsion dhe të shpërlash para dhe evazion fiskal, për shkak se do të mbyllen.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, deklaron se është absurd në një territor prej 3,5 km katrorë siç është Çairi, të ekzistojnë mbi 30 objekte për lojëra të fatit.
“62 mijë banorë dhe kemi 5 kazino në Çair, kjo tregon gjithçka. E gjithë Zvicra me 7 milionë banorë me 19 kazino, ndërsa ne me 5 kazino në komunën e Çairit, si dhe 25 bastore, të cilat gjithashtu u është dhënë mundësia që të përdorin aparatet për kazino. Si banor i Çairit çdo ditë që zgjohem, ne mund të shohim ndonjë objekt, që ka qenë i zbrazur, tani kemi bastore dhe kazino të reja.”, - u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Me propozim-ligjin për lojërat e fatit, objektet afariste duhet të jenë më së paku 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme, rriten taksat për marrjen e licencës dhe kufizohet numri i hapjes së tyre.
GAZMEND KURTISHI
