Ekonomi
Komuna e Tetovës, “Rrjeti i veprimit për qeverisje të mirë"
30.03.2015 16:22
Sot, në hapësirat e Komunës së Tetovës u mbajt prezentim në kuadër të projektit "Rrjeti i veprimit për qeverisje të mirë...

Sot, në hapësirat e Komunës së Tetovës u mbajt prezentim në kuadër të projektit "Rrjeti i veprimit për qeverisje të mirë", e implementuar nga Organizata “TIK për ndryshime”, e financuar nga Fondacionit “Metamorfozis”, me mbështetjen financiare nga Komisioni Evropian nëpërmjet fondeve IPA 2013.
Shoqata “TIK për ndryshime” (ICT4Change), në bashkëpunim me komunën, përgatiti propozim-projektin për sistemin e evidentimit, pagesës së taksës turistike dhe mbrojtjen e të dhënave personale të turistëve të cilët kanë qëndruar nëpër hotelet brenda territorit të Komunës së Tetovës.
“Projekti ka për qëllim tre pika, të arrijmë të grumbullojmë taksën për qëndrim të përkohshëm, duke i ikur elementit që të shohim edhe të dhënat personale, të cilët vijnë dhe qëndrojnë në Tetovë. Pika e dytë ishte d.m.th. që me këtë t’i ndihmojmë dhe të kemi një softver të përbashkët të gjitha hotelet për grumbullimin e të dhënave. Dhe e treta nga këto të dhëna është që ne të sigurojmë të dhëna statistikore, që më vonë mund t’i shfrytëzojmë për hulumtime të caktuara, si dhe strategjive dhe të ngjashme, nga të cilat do të kemi një informacion për numrin e fjetjeve dhe nga cilët vende vijnë”- deklaroi Sadat Halili nga Sektori për Zhvillim Ekonomik Lokal.
“Ky është një projekt që është implementuar nga Organizata “IKT për ndryshime” apo “TIK për ndryshime” (ICT4 Change) dhe e sponzoruar apo e financuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, në kuadër të projektit për vetëqeverisje më të mirë nëpërmjet Fondacionit IPA, fondacioneve evropiane për 2013 dhe kofinancim nga Komuna e Tetovës. Projekti në përgjithësi ka një buxhet prej 4500 eurosh, në të cilat Komuna e Tetovës ka dhënë kontributin me 20%, ndërsa të tjerat Fondacioni “Metamorfozis””- tha menaxheri i projektit “TIK për ndryshime” (ICT4 Change), Adrian Besimi.
Ky projekt një herë do të shtyhet si pilot nëpër disa hotele në Komunën e Tetovës, më vonë ndoshta edhe në R. Maqedonisë. Softverin që do ta përdorin hotelet do të jetë në dy gjuhë, në atë maqedonase dhe shqipe, dhe pritet të implementohet nga muaji qershor.
VISAR SADIKI
