Maqedoni

BE dhe kriza politike në Maqedoni, Besimi: situata kapërcehet vetëm me dialog

30.03.2015 16:37

Evropa duhet të bëhet pjesë e zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni, por edhe partitë politike duhet të mbajnë në fokus qëllimet kryesore të vendit...

Kështu vlerësuan pjesëmarrësit në tribunën e organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane kushtuar BE-së dhe krizës politike në Maqedoni.
 
Dialogu është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit, vlerëson zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.  
 
“Afati për ruajtjen e rekomandimit të KE-së me kapërcimin e krizës dhe rivendosjen e dialogut “skadoi dje”. Rekomandimi duhet të meritohet çdo vit, të gjithë skenarët janë të hapur dhe kjo varet nga ne se sa kapacitet do të tregojmë për ta ruajtur atë dhe të fillojmë negociatat zyrtare. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Maqedonia të tregojë se ka kapacitet për kapërcimin e situatës”- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.
 
Profesori austriak, ligjërues në Universitetin “Gratz”, Florian Bieber, thotë se Brukseli nuk është vetëm pjesë e zgjidhjes, por edhe e problemit të krizës në Maqedoni.
 
Ai e quan bllokimin grek për integrimin e Maqedonisë si një gabim strategjik dhe shton se pasojat nga ky gabim dalin në dritë 6-7 vite më vonë.
 
“BE ka problem me legjitimitetin në Maqedoni dhe nuk është partner konstruktiv. BE nuk është vetëm pjesë e zgjidhjes, por edhe pjesë e problemit. Kriza e madhe është shkaktuar nga mospasja e interesit të BE-së për zgjerimin. Treçereku i qytetarëve të BE-së është kundër zgjerimit dhe vetoja greke për Maqedoninë shihej si një e mirë nga shtetet e BE-së”- tha profesori universitar, Florian Bieber.
 
Ish-ambasadori i Maqedonisë në Uashington, NIkolla Dimitrov, thotë se BE ka përgjegjësi morale për situatën në Maqedoni. Ai takimin e sotëm në Bruksel e shikon si një test për BE-në për të parë se si do të veprohet më tej dhe vlerëson se rekomandimi i ri do të mungojë nëse kjo sit uatë vazhdon. 
 
Për Stevo Pendarovskin nga LSDM Brukseli është para një sfide unike, por qasja e ndërmjetësimit duhet të jetë më e ashpër sesa është aktualisht.
 
Efektet e ndërmjetësimit evropian në zgjidhjen e krizës politike në vend nuk mund të jenë të menjëhershme. Dalja nga kjo krizë kërkon një qasje unikate për të mos u përsëritur rezultatet e marrëveshjes së Marsit, u vlerësua sot në tribunën “BE dhe kriza aktuale politike në Maqedoni”. 
 
ERSAN PAJAZITI