Negociatat në Bruksel, BDI pjesë e dialogut në fazën e dytë

30.03.2015 17:06

Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë pjesë e dialogut që nisi sot në Bruksel midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, të ndërmjetësuar nga eurodeputetët...

Përfshirja e BDI–së në dialog, sipas sekretarit të përgjithshëm të partisë, Abdylaqim Ademit, do të ndodhë në fazën e dytë, pasi palët të përpilojnë agjendë të qartë për fillimin e negociatave për dalje nga kriza. Një konfirmim i tillë është marrë nga Brukseli zyrtar, pohon Ademi.

“BDI kërkon që ky dialog të jetë transparent, gjithëpërfshirës, me kyçjen e sektorit civil, ekspertëve të botës akademike dhe faktorëve tjerë. Konsiderojmë që përfshirja e BDI-së në dialog, e ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar, është e patjetërsueshme dhe paraqet garanci për zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike”– deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdylaqim Ademi.

Me përpilimin e agjendës për negocim, nga partia e Ahmetit do të kërkojnë zgjidhjen e çështjes së emrit me konsensus etnik. Formimi i qeverisë teknike për dalje nga kriza politike nuk do të jetë pjesë e ofertës së integristëve. Ata do të presin epilogun e bisedimeve në Bruksel.

Ndërsa sa i takon kërkesës së ish-ambasadorit, Ervan Fuere, drejtuar BDI-së në kongresin tematik, që partia e Ahmetit të lëshojë qeverinë, Ademi thotë se BDI do të mbetet pjesë e qeverisë deri në momentin kur do të vlerësojë se është e nevojshme pjesëmarrja në ekzekutiv.

“BDI është parti e përgjegjshme, është parti e cila mban përgjegjësi për të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve dhe parti e cila në rezolutën e saj ka dhënë porosi të mjaftueshme edhe për situatën aktuale, por edhe për vazhdimin e qëndrimit të saj në qeverinë aktuale”- tha Ademi.

Në kongresin tematik të BDI-së, diplomatët e huaj hodhën kritika mbi implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, zhvillimin ekonomik dhe rajonal, ndërsa kërkuan që demokratizmi i shoqërisë të bëhet nëpërmjet zhvillimit të arsimit. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Ademi, thotë se të gjitha kritikat janë përfshirë në rezolutën e BDI-së për funksionimin e mëtejshëm të partisë.

Në rezolutën që BDI miratoi në kongresin tematik kërkohet nga gjykatat e vendit, të ndihmuara nga ekspertë ndërkombëtarë, që në forma sa më transparente të hetojnë përgjimet e paligjshme. Gjithashtu kërkohet edhe përshpejtim i procesit të risocializimit të ushtarëve të UÇK-së në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. (Meral  Ismaili, TVM2)