Maqedoni
Komuna e Shuto Orizarës, me qendër për shërbime më të lehta institucionale
16.01.2024 14:00
Banorët e komunës së Shuto Orizarës do të kenë lehtësime administrative me ndërtimin...

Banorët e komunës së Shuto Orizarës do të kenë lehtësime administrative me ndërtimin e "Qendrës së Resurseve për të kthyerit dhe personat në rrezik". Përmes Qendrës së Resurseve, qytetarët do të kenë qasje të papenguar në shëndetësi, shërbime sociale, punësim, arsim parashkollor dhe shkollor, si dhe akses në ndihmë juridike. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se ky projekt është i pari i këtij lloji në vend dhe do të jetë urë lidhëse mes institucioneve dhe banorëve të kësaj komune.
“Përmes kësaj qendre, e para e këtij lloji në vend, qytetarët do të kenë qasje të papenguar në më shumë shërbime administrative, në mesin e të cilave shërbime shëndetësore dhe sociale, shërbimet për punësim, arsim shkollor dhe parashkollor dhe akses në ndihmë juridike. Qendra do të sigurojë riintegrim social dhe ekonomik për banorët e Shuto Orizarës dhe do të ofrojë më shumë mundësi, që të kthyerit të jenë më aktiv në tregun e punës dhe do të jenë shumëdimensional.”, - deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Zyra e Qendrës së Resurseve do të jetë në kuadër të komunës së Shuto Orizarës dhe kap vlerën e 180 mijë eurove, prej tyre, 81 euro janë siguruar përmes fondit të BE-së, pjesën tjetër do ta sigurojë komuna. Brenda këtij objekti do të jenë zyrat e institucioneve shtetërore dhe OJQ-së që veprojnë për komunitetin.
“Brenda objektit të sapondërtuar, për herë të parë në RMV, do të hapet Qendër Komunale për Resurse, ku për OJQ-në që veprojnë për të ndihmuar komunitetin e kësaj komune, do t’u jepen hapësira që do të shfrytëzohen për aktivitetet e tyre. Gjithashtu zyra të posaçme do të ketë edhe Agjencia për Punësim, njësia territoriale e Fondit për Sigurim Shëndetësor, Zyra për udhëheqje me librat e gjendjes civile në këtë mënyrë do të lehtësohet barra edhe për të punësuarit në këtë komunë.”, - deklaroi kryetari i komunës së Shuto Orizarës, Kurto Dudush.
"Ky projekt i BE-së ka për qëllim t'i integrojë romët e Ballkanit Perëndimor në aspektin social dhe ekonomik. Me këtë projekt rajonal, të gjithë kategoritë e margjinalizuara do t’u qasen më lehtë shërbimeve institucionale dhe me këtë do të integrohen në shoqëri.”, - theksoi delegacioni i BE-së, Shtefan Hudolin.
Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Gregorian, tha se edhe në të ardhmen do të realizojnë projekte në bashkëpunim me këtë komunë, për të ndihmuar në integrimin e romëve.
FARIJE DAUTI BAKIJU
