Maqedoni
Dokumentet e reja personale, radhë të gjata në punktet e MPB-së
16.01.2024 15:20
Përderisa po pritet nëse do të shtyhet afati për pasaportat dhe lejet e vozitjes...

Përderisa po pritet nëse do të shtyhet afati për pasaportat dhe lejet e vozitjes, qytetarët vazhdojnë të presin me orë të tëra për t’u pajisur me dokumentet e reja.
Këto janë radhët e gjata të qytetarëve të cilët presin për t’u fotografuar në punktin për nxjerrjen e dokumenteve personale pa termin të përcaktuar. Dikush po pret për më tepër se pesë gjashtë orë për t’u fotografuar dhe sigurisht se kjo situatë po shkakton nervozë te ato.
Qytetarët ankohen për mosefikasitet të plotë të shërbimeve policore, përderisa thonë se janë të detyruar që edhe formularët t’i mbushin në shportë të mbeturinave.
“Prej në ora dhjetë, pa bukë, pa ujë, pa asgjë. Duhet t’i ndajnë, çdo komunë të ketë të veten, Kisella Voda, Gazi Baba, Çairi.”, - u shpreh një qytetar.
“Nuk dinë të punojnë. Neve na detyrojnë në të ftohtë të presim, kurse ata nuk presin. Tani për zgjedhje i vazhdojnë letërnjoftimet, kurse pasaportat nuk i vazhdojnë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Pa marrë parasysh se a të nervozon apo jo kjo situatë, e kemi patjetër të presim. Jam këtu që nga ora nëntë. Kjo është hera e dytë që vij, isha të premten, prita pesë orë dhe e mbyllën derën.”, - theksoi një qytetare.
“Tri orë ka që jam këtu. Në të ftohtë presim këtu, normalisht që jemi të revoltuar. Shteti të marrë masa ashtu siç duhet.”, - theksoi një tjetër qytetare.
Kovaçevski për dokumentet personale: Duhet të arrihet marrëveshje me Greqinë
Autoritetet tregojnë se letërnjoftimet do të vlejnë edhe pas 12 shkurtit për përdorim të brendshëm. Për pasaportat dhe lejet e vozitjeve, kryeministri ka biseduar me ministrat, por Qeveria pret që presidenti të dakordohet me autoritetet greke.
“Me autoritetet greke nuk kam diskutuar, atë presidenti i shtetit e ka marrë si obligim, të dëgjohet me presidenten e Greqisë. Dokumentet për përdorim të jashtëm janë të nevojshme për qytetarët që udhëtojnë jashtë vendit dhe për këtë arsye duhet të arrihet një lloj marrëveshjeje me Greqinë, sepse në fund qytetarët tanë nga mesi i majit deri në mes të shtatorit udhëtojnë kryesisht në Greqi, për arsye kryesisht turistike.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Pendarovski demanton: Nuk kam marr për obligim të komunikoj me Greqinë
Nga ana tjetër, presidenti demanton kryeministrin. Siç njoftojnë nga kabineti i Pendarovskit, presidenti ka treguar vullnet të mirë për të ndihmuar, por nuk e ka marrë për obligim.
“Presidenti Pendarovski ka bërë propozim për tejkalimin e problemit që ka lindur në lidhje me ndërrimin e dokumenteve dhe dokumenteve personale, por ajo procedurë është në përbërje të Qeverisë dhe Kuvendit. Sa i përket komunikimit me Greqinë, presidenti Pendarovski mund të ndihmojë në proces, por ai nuk ka marrë përgjegjësi në këtë drejtim.”, - thonë nga kabineti i presidentit.
Siç njoftojnë nga MPB-ja, deri më tani janë nxjerrë mbi 1 milion e 200 mijë pasaporta në tërë territorin e shtetit.
ERSAN PAJAZITI
