Botë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë viziton Prishtinën, Hasani: Serbia të mos çojë ushtarë në kufirin me Kosovën

16.01.2024 15:38

Në nisje të turit 3-ditor në Rajon, ministri i Jashtëm, Igli Hasani, gjatë konferencës me homologen e Kosovës, Donika Gërvalla...

Në nisje të turit 3-ditor në Rajon, ministri i Jashtëm, Igli Hasani, gjatë konferencës me homologen e Kosovës, Donika Gërvalla, u pyet për rrezikun e sulmeve të tjera si ajo që ndodhi në Banjskë pak muaj më parë. Hasani tha se Serbia duhet të heqë dorë nga loja qesharake, duke dërguar ushtrinë në kufirin me Kosovën.
 
“Bëjmë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, të mos i çojnë ushtritë fqinjit më tek kufiri, por askush nuk duhet ta vazhdojë më këtë lojën qesharake, sepse garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO-ja, ku edhe Shqipëria është pjesë.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
 
Duke iu referuar zhvillimeve gjatë vitit 2023, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se BE-ja nuk ka qenë në gjendje të detyrojë Serbinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Kosovën. 
 
“Do të vazhdojë BE-ja me ledhatimin e Serbisë, me rrezikun real që vjen nga Serbia apo do të ketë ndryshim në qasje? Ka një lëvizje të ngadalshme rreth një strategjie të re.”, - theksoi ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. 
 
Nga ana e tij, Hasani tha se 2024-ta është një vit i rëndësishëm për faktorin ndërkombëtar.
 
“Është vit i rëndësishëm për gjithë faktorin ndërkombëtar, ka zgjedhje në ShBA, zgjedhje në BE. Janë momente që s’duhet t’i humbasim. Kosova po kryen detyrat e saj. Liberalizimi i vizave do t’i japë impakt të ri.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
 
LULJETA NDOKA